Kryetari i Shoqatës së Pishinave, Diamant Paçarizi, i ka dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës, deri sonte që të shfuqizoj vendimin për mbylljen e pishinave, në të kundërtën do të protestojnë në kufirin me Shqipërinë.
Paçarizi, deklaroi se në kufirin me Shqipërinë nuk do të lejojnë kalimin e automjeteve për në bregdetin shqiptarë.
“Nëse qeveria nuk merr vendim më së paku deri sonte, ne do të mbajmë protestën e radhës në kufirin me Shqipërinë ku do të bllokojmë automjetet që do të dalin nga Kosova. Kërkojmë nga policia që të mos të ketë provokim të situatës për arritjen e qëllimit tonë”, tha Paçarizi.
Pronarët e pishinave do të angazhojnë dhe një avokat, përmes të cilit do të kërkojnë kompensim nga Qeveria e Kosovës.
“Ne do të angazhojmë një avokat për kompensimin e dëmit që na ka shkaktuar vendimi tendencioz I qeverisë”, tha ai.
Vendimin e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e pishinave, Paçarizi po e quan skandal, me ç’rast ka deklaruar se më absurdja dhe më e papranueshme për ta ka qenë ngufatja që ua bëri kryeministri këtyre bizneseve.
Ai ka theksuar se nëse vërtetohet se pishinat janë vatër e shpërndarjes së virusit COVID-19 atëherë vetë ata do ta zbrazin ujin nëpër pishina.
“Kemi dalë që të protestojmë në mënyrë simbolike për vendimin skandal të qeverisë së Kosovës për mbylljen e pishinave në gjithë territorin e Kosovës. Ajo që është ishte më absurdja dhe më e papranueshme për ngufatjen që na bëri kryeministri ishte se me çfarë ekspertizë ose me cilin grup të ekspertëve 4 vlerësuan që në pishinat e brendshme nuk ka virus dhe në ato të hapura virusi qenka prezent, e për çka para disa javësh kishin vendosur të kundërtën. Nëse vetëm një ekspert hidro-sanitar dhe IKSHP-K e vërteton që pishinat janë vatër e shpërndarjes së virusit dhe jo parandalues ne në mënyrë vullnetare do ta zbrazim ujin, por është e papranueshme që pishinat e Shqipërisë dhe ato të mbyllurat mos të kenë virus dhe ato të hapura të jenë vatër e përhapjes”, deklaroi ai, raporton KP.
Po ashtu, Paçarizi tha se pronarët e pishinave kanë respektuar vendimet e Qeverisë për mbajtjen e distancës dhe se deri më sot nuk ka asnjë të dhënë që dikush është infektuar nga coronavirus në pishina.