Kështu deklaroi të martën zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero-Hernandez kur u pyet nga gazetarët për kërkesën e Metës për një opinion nga Venecia për ndryshimet e Kodit Zgjedhor.
Gjatë një konference për shtyp, Pisonero theksoi se eurokomisioneri Varhelyi ka këmbëngulur që kuvendi të presë opinionin e KV-së: “Ju keni parë Twitter-at që komisioneri Varhelyi publikoi dje dhe sot në mëngjes. Vendimi për t’ia lënë për shqyrtim Komisionit të Venecias dispozitat e Kodit Zgjedhor të 5 tetorit të aprovuara nga Parlamenti i përket autoriteve shqiptare.Bashkimi Europian beson se Komisioni i Venecias do t’u ofrojë palëve një këshilla të shpejta lidhur me zbatimin e ndryshimeve Kushtetuese të aprovuara nga Parlamenti në 30 korrik.”
Presidenti Meta i ktheu ndryshimet e Kodit Zgjedhor me 23 tetor me argumentin se e ato cenojnë parimin e procesit të rregullt ligjor, si dhe të drejtën për të zgjedhur e për t`u zgjedhur, e mbi të gjitha parimin e barazisë së votes. Meta i ka kërkuar dhe Komisionit të Venecias opinion në lidhje me ndryshimet e Kodit Zgjedhor.
Eurokomisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi dhe disa europarlamentarë i kanë bërë thirrje Ramës dhe kuvendit të mos i miratojnë ndryshimet përpara opinionit të Komisionit të Venecias. Por kryeministri Rama deklaroi se parlamenti do t’i miratojë ndryshimet përpara opinionit të KV. Ndërkohë të martën në orën 12:00 ka nisur mbledhja e Komisionit të Ligjeve për të hedhur poshtë dekretin e Metës.