Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës i është përgjigjur deputetit të AAK-së, Ramush Haradinaj pasi që ky i fundit tha se operacionet policore në veri janë bërë me qëllim për ta dorëzuar atë pjesë. Kryeministri Kurti tha se në veri të Ibrit ka më shumë rend e ligj sot se sa ndonjëherë tjetër që nga shpallja e pavarësisë.
Kurti tha se ajo pjesë ka qenë e rrezikuar kur Haradinaj e priste në zyrë Milan Radojiçiqin.
“Asnjë barrikada nuk ka në veri. Veriu ka qenë i rrezikuar atëherë kur deputeti Haradinaj e priste në zyrë kriminelin Milan Radojeçiq. Nuk e rrezikon veriun Policia, por kri minelët dhe bashkëpunimi i tyre me politikanët”, ka thënë Kurti.
Kurti tutje shtoi se fjala e deputetit Haradinaj është sulm ndaj moralit të policisë. “Kot e keni që po sulmoni z.Haradinaj. Morali i policit është shumë i lartë dhe i paprekshëm. Kurrë morali i tyre s’ka qenë më i fuqishëm”, u shpreh Kurti.
Pas kësaj ka replikuar deputeti Haradinaj. Ai tha se frikën nuk e ka te policia por te vetë Kurti.
“Unë i besoj Policisë së Kosovës. Frikën e kam te ti kryeministër, që ti qëllimshëm i ke marrë dy veprime me dorëzua veriun. Unë besoj që skenari yt me marr dy veprime mu forcu kriminelët i ke ba qëllimshëm”, tha Haradinaj.
Ndaj tij sërish reagoi kryeministri Kurti. Ai tha se veriu i Kosovës nuk dorëzohet.
“Kri minelët në veri dhe strukturat ilegale kurrë nuk kanë qenë më të frikësuara se tash. Nuk keni nevojë të më frikësoheni mua, nuk dorëzohet veriu. Por mos ngjallni dilema te policia kur shkojnë herën e ardhshme në veri se kushedi për çfarë ju ka qu Albini, kjo është e dëmshme dhe këtë nuk ta ka borxh askush”, tha Kurti.