Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka shpërthyer ditën e djeshme në kritika ndaj klasës politike, ku ka bërë një shkrim të gjatë sa i takon procesit të zgjedhjeve dhe asaj që i pret shqiptarët më 25 prill.
Topalli frymëzuar nga protestat në Bjellorusi ka bërë thirrje për kryengritje të ngjashme edhe në vendin tonë, për të rrëzuar gjithë klasën aktuale politike. Ajo është shprehur se populli shqiptar do shpresë, sakaq ka shtuar se shpresa nuk do të jetë kurrë e heshtur. Sipas saj nuk ka rëndësi nëse do të largohet klasa politike me votë apo me protestë, por vendi duhet të çlirohet nga ata që e kanë mbërthyer.
“Qytetarët duan shpresë. Protestat në Minsk janë një frymëzim edhe për shqiptarët kundra një klase politike të korruptuar e të dështuar si kjo e jona. Shpresa nuk do jetë kurrë e heshtur. Me votë, me protestë apo me të dyja bashkë qytetarët do çlirojnë vendin nga 3-4 vetë (kryetarë partish) që e mbajnë peng atë”, – ka deklaruar ajo.
Topalli është shprehur se Rama, Basha dhe Meta janë të gjithë bashkë dhe grinden me njëri-tjetrin vetëm për tendera. Sipas saj vendi është pa alternativë.
“Qytetarët që ndjekin politikën nga ekrani kanë një koment. Prap këta? Prap Edi Rama, Ilir Meta e Lulzim Basha? Në fakt vendi është pa alternativë. Tre emrat më lart janë bashkë. Ata grinden vetëm për pjesët tek koncesionet e tenderat. Ndërkohë vendi ka nevojë dëshpëruese për ndryshim”, – shprehet ajo.
Topalli shkruan në artikullin e saj se, institucionet nuk janë gati për shkak se politikanët shkuan me pushime të gjata dhe tashmë nuk përmbushen standardet për zgjedhje. Ajo është shquar për sulmet e saj ndaj kreut demokrat Lulzim Basha dhe këtë herë po ashtu është shprehur se Bashën nuk e sheh si një alternativë për vendin. Ndërkohë ka komentuar edhe dekretin për datën e zgjedhjeve, ku është shprehur se ligji për zgjedhjet nuk është gati.
“Vakancat e gjata të politikanëve dhe hipokrizia për zgjedhe të lira! Presidenti Meta dekretoi që zgjedhjet për Kuvendin të mbahen më 25 prillin e ardhshëm, pothuaj 8 muaj përpara. Por ligji për zgjedhjet nuk është gati. KQZ nuk është gati, përgatitjet për digjitalizimin e procesit nuk është kurrkund. Marrja e pushimeve nga politikanët ka shtyrë punën për votimin e ndryshimeve të nevojshme në Kodin Zgjedhor. Për shkak të pushimeve ende nuk ka filluar puna për ndërtimin e KQZ, e cila duhet ndërtuar nga e para me një organizim e strukture krejt tjetër. Ndërkohë përgatitjet për identifikimin e zgjedhësve si një ndër kërkesat e “opozitës” jashtë parlamentit ende s’ka filluar”, – ka shkruar Topalli.
Akuza Këshillit Politik
Në shkrimin e saj të gjatë Topalli ka bërë një valë kritikash ndaj Këshillit Politik. Ajo shprehet se për shkak të mos mbledhjes së Këshillit Politik, vendi rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të ardhshme pa përmbushur as minimumin e gjërave.
“Edhe këta me pushime, për Këshillin Politik është e tepërt të pretendosh të mblidhet si një strukturë e çuditshme që është, natyrisht edhe ajo vazhdon vakancat. Në fakt për shkak të vakancave të gjata të politikanëve; për shkak të mos mbledhjes së Këshillit Politik, vendi rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të ardhshme pa përmbushur as minimumin e gjërave. Që qeveria nuk shqetësohet për standarde kjo është e kuptueshme, por që opozita të jetë aq e rehatuar sa të vazhdojë vakancat dhe të mos shtyjë procesin kjo është e çuditshme. Heshtja për sa më lart nga të gjitha anët flet për hipokrizinë e atyre që bërtasin për zgjedhje të lira ose lajmëron për një linjë konflikti në muajt e ardhshme”, – ka deklaruar Topalli.