Në tre qytete të mëdha të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, policia është bashkuar me manifestuesit që protestonin në emër të George Floyd duke marshuar së bashku me ta. Madje duke u gjunjëzuar dhe para tyre.
Veprimi i agjentëve në New Jersey Ferguson, Misuri, Flint e Miçigan është bërë viral në rrjetet sociale duke marrë shumë vlerësime.
Manifestuesit në Flint Micigan, të mbledhur para stacionit të policisë, dëgjuan fjalët e sherifit të kontesë, Kristofer Suanson, i cili foli me ta para se të bashkohej me protestën paqësore pasi dorëzoi kaskon dhe shkopin e gomës në shenjë paqe.
Sherifi theksoi se agjentët e policisë në vend nuk janë të gjithë si ish agjenti Derek Chauvin, i akuzuar për vrasjen e Floyd. Ai shtoi se askush nuk duhet të mendojë për asnjë sekondë se ai përfaqëson të gjithë policinë e vendit.
Jashtë stacionit të policisë së Ferguson, në shenjë respekti efektivët u gjunjëzuan për nëntë minuta, aq sa zgjati dhe agonia e Floyd gjatë mbytjes. Turma inkurakoi agjentët për spektaklin e solidaritetit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përfshirë prej disa ditësh nga protesta të nxehta, që po zgjerohen gjithmonë e më shumë. Kjo valë reagimi u shkaktua pas vdekjes së një afro-amerikani gjatë arrestimit nga policia. Në rrjet u bë virale video e George Floyd, i cili qëndronte me fytyrën në tokë, ndërsa polici Chauvin në Minneapolis kishte vendosur këmbën në qafën e tij. Pavarësisht thirrjeve të Floyd se nuk po merrte frymë, polici nuk u ndal.