Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar do të shqyrtojë ditën e nesërme kërkesën e SPAK për të rifilluar ndjekjen penale ndaj Fatmir Mediut për rolin e tij në ngjarjen e Gërdecit, proces i bllokuar që prej vitit 2009.
Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7 vjeçarit Erison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i Gërdecit në pranverën e 2008 i kanë kërkuar gjykatës pranimin e kësaj kërkese.
Në muajin Shkurt 2021, Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7 vjeçarit Erison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i Gërdecit në pranverën e 2008, iu drejtuan organeve të drejtësisë së re për të rifilluar ndjekjen penale ndaj Fatmir Mediut, ish Ministër i Mbrojtjes.
SPAK e trajtoi pozitivisht këtë kërkesë, duke e vlerësuar se ishte e drejtë të rifillonte ndjekja penale ndaj këtij personi dhe tashmë është në dorën e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të dhënë dritën jeshile.
Gjykimi do të bëhet nga gjyqtari Erion Çela në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve. Por, prindërit e të miturit Erison Durdaj, nuk kanë qëndruar pasive. Ata kanë parashtruar një memo para gjykatës duke i kujtuar asaj që:
– ndjekja penale është një detyrim i shtetit shqiptar që buron nga konventat ndërkombëtare që kërkojnë hetimin dhe gjykimin e plotë për çdo humbje jete
– dosja përmban shumë fakte që mund të cilësohen jo vetëm si shpërdorim detyre dhe duke i hapur rrugë gjykimit do të mundësohet një vlerësim i drejtë i të gjithë fakteve penale
– gjykata të zbatojë drejtpërdrejt nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të mos humbasë në teknikalitete, në dëm të thelbit të detyrës së prokurorisë dhe gjykatave të një shtet të së drejtës. Gjykata e Strasburgut ka kërkuar shpesh here nga shtetet që të bazojnë vendimet direkt ne Konvente.
– nëse gjykata ka dyshime se ndonjë dispozitë e ligjeve shqiptare bëhet pengesë për këtë gjykim, të ushtrojë të drejtën për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për t’i hequr pengesat antikushtetuese./TCH