Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar, se i dërguari i BE-së Miroslav Lajçak dhe komandanti i KFOR-it, pas aplikimit të reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve kishin ofruar një marrëveshje për zgjidhjen e krizës në veri të vendit, e cila ishte refuzuar nga Serbia.
“Provokimet nga këto strukturat paralele vazhdonin në baza ditore, kishim edhe djegien e njërës prej pikave apo qendrave të regjistrimit civil në Zubin Potok dhe ndaj tjetrës me dy granata dore, të cilat fatmirësisht nuk shpërthyen. Ndërkohë, kemi filluar edhe bisedimet me faktorin ndërkombëtar, kishim dy propozime fillestare, njëra nga Lajçak dhe tjetra nga komandanti i KFOR-it, të cilat pala kosovare i pranoi, por u refuzuan nga pala serbe, por pastaj në një takim në Bruksel mes zëvendës-kryeministrit tonë dhe Lajçakut dhe përfaqësuesit të palës serb, u arrit marrëveshja për funksionalizimin e stikersave, të ashtuquajturave, apo fletave të bardha ngjitëse, të cilat mbulojnë simbolet e shteteve respektive”, tha Sveçla për abcnews.
Ministri konfirmoi gjithashtu shkeljen e hapësirës ajrore të Kosovës nga Serbia gjatë trazirave në veri pasi Kosova vendosi reciprocitetin e targave me Serbinë.
“Kishte momente kur fërkimet ishin më të mëdha, kishte momente të provokimit të hapur, sidomos nga Serbia, për shembull ata provokonin me fluturime shumë afër kufirit të Kosovës, si me avionë të prodhimit rus, ashtu edhe me helikopterë të prodhimit rus, kishte dronë të cilët i afroheshin kufirit, apo kemi pasur një rast kur edhe ka pasur shkelje të kufirit, kishte mobilizim të shtuar të xhandarmërisë, të ushtrisë serbe, por këto provokime, assesi, nuk na bënë që ne të ndryshojmë mendim.”
Por veriu i Kosovës ka probleme të mëdha, kontrabanda, krimi i organizuar, trafikimi i qenieve njerëzore.
“Është evident fakti që sundimi i rendit dhe ligjit në këto komuna ka qenë i mangët, kjo për arsye edhe që nuk ka pasur vullnet politik të qeverive të mëhershme në Kosovë, por edhe ofrimit të një lloj ombrelle politike të gjitha këtyre veprimeve kriminale, ordinere.”
Qeveria Kurti nuk dëshiron mbajtjen e status quo-s në veri.
“Ne nuk jemi për një mirëmbajtje të status quo-s, në kurriz të rendit dhe ligj në Kosovë, por jemi për veprime të vazhdueshme, në mënyrë që rendi dhe ligji të imponohet në çdo cep.”
Për më tepër, që kur nuk sundon ligji, sundon krimi.
“Kur nuk ka sundim të ligjit, atëherë sundon i forti. Në këtë rast, të fortit janë kriminelët atje dhe këtë e vuajnë më së pari, dhe më së shumti, qytetarët atje dhe vetë fakti që nuk ka pasur përkrahje masive për këtë lloj proteste që këta patën, tregon se ata janë lodhur nga ky lloj organizimi i tyre, dhe janë të gatshëm që të përqafojnë sundimin e ligjit atje”, tha ai /abcnews