Avokat Spartak Ngjela ka paralajmëruar shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga Gjykata Kushtetuese. Kohët e fundit po flitet për mundësinë e një pazari për të bllokuar shkarkimin e Metës në Gjykatën Kushtetuese, por për avokat Ngjelën, ai do të shkarkohet. Sipas tij, në tetor Kushtetuesja do të mbajë një qëndrim për këtë çështje dhe aty do të vuloset fati i presidentit.
“Ajo që shoh unë është që datën ia kanë caktuar. Gjykata Kushtetuese ka shumë çështje dhe kësaj i ka dhënë përparësi dhe ajo e ka caktuar tetorin. Kur të mblidhet gjykata në fillim të tetorit atëherë do të shohim si do të vijojë çështja. Unë jam optimist që ata do ta dënojnë. Pra do ta shkarkojnë”, – deklaroi avokati. Lidhur me faktin se presidenti nuk shfaqi probleme gjatë dekretimit të qeverisë, sipas Ngjelës, Meta nuk e ndalonte dot dekretimin e qeverisë sepse ndryshe do të shkonte në burg.
Ish-kryeministri Berisha rrezikohet nga SPAK
Një çështje tjetër për të cilën avokati foli ishte edhe dosja e ish-kryeministrit Sali Berisha. Kujtojmë se ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka kërkuar hetime lidhur me këtë çështje dhe zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar ka deklaruar se mund të dorëzojë në prokurori dosjen me afera të ish-kryeministrit, çka e sjell Berishën para dyerve të SPAK.
“Ka disa arsye, e para, kemi kompetenca të reja. Pastaj, gjatë asaj periudhe, duhej bërë hulumtimi dhe duhej të siguroheshim, që jemi në gjendje të bëjmë përpunimin e informacionit”, – deklaroi Escobar.
Ngjela nga ana tjetër u shpreh se ish-kryeministri është një ndër më të rrezikuarit nga SPAK. Sipas avokatit, rreziku më i madh vjen nga hetuesit e FBI në Byronë Kombëtare të Hetimit. Sipas informacioneve, në BKH janë 3 përfaqësues të FBI dhe në kuadër të argumenteve nga avokat Ngjela, ata do ta kenë më të lehtë të merren me hetimet për çështjen e Berishës. Avokati tha se dosja e Berishës ka shumë gjëra të rënda dhe kreu demokrat Lulzim Basha e ka parë atë. Sipas tij Basha e mori vendimin për përjashtimin e Berishës pasi dosja e ka tmerruar.
“Berisha rrezikohet shumë nga SPAK. Berisha ka gjëra shumë të rënda në atë dosje. Nuk ka pse e zgjasim kur e tha vetë Basha. Ai ka thënë që dosja ishte e tmerrshme dhe ka ndenjur pa gjumë gjithë natën. Basha e mori vendimin për përjashtimin e Berishës sepse dosja ishte vërtet e llahtarshme. Dosjen ia kanë sjellë dhe Saliut. E di Saliu se çfarë ka dosja. Këto janë fakte. Çfarë interesi ka Basha të thotë dosja është kështu apo dosja është ashtu. Problemi qëndron që kur të vijë në SPAK, aty fillon presioni dhe mos të harrojmë se SPAK-un e ka me ekspertizë FBI-ja. Kështu që të shohim”, – deklaroi Ngjela.
Kujtojmë se Basha në një mbledhje me grupin parlamentar të Partisë Demokratike foli për një dosje që ka informacion vetëm ai dhe Berisha ndërsa pjesa e tjetër e grupit nuk kishte për t’i marrë vesh kurrë. Nga ana tjetër Berisha e pranoi ekzistencën e një dosjeje të tillë, por sipas tij ajo ka vetëm shpifje.