Ish-deputeti dhe kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahiu ka folur me superlativa rreth figurës së Mbretit Ahmet Zogu dhe familjes mbretërore në Shqipëri, që sipas tij, janë një pasuri kombëtare. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, të mbushur me fakte dhe analiza autentike, zoti Spahiu fillimisht e ka ndalur theksin tek takimi i para disa ditëve që Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Philip Reeker ka pasur me familjen mbretërore të Shqipërisë.
Kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit u shpreh se takimi Philip Reeker me Princin Leka II, është një sinjal i qartë jo vetëm për të shkuarën, por edhe për të ardhmen. Më tej, numri 1 i legalistëve shqiptarë theksoi se Ahmet Zogu hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, ndërsa shtoi se mbreti Zog u bë figura më madhore dhe qendrore e historisë së Shqipërisë.
-Zoti Spahiu, duke marrë shkas nga një takim që zyrtari i DASH, Philip Reeker pati në familjen mbretërore, çfarë do të thotë ky takim?
Para disa ditësh, Princ Leka II, priti në një takim në Rezidencën e Familjes Mbretërore, z. Philip T. Reeker – Ndihmës Sekretar i Shtetit në detyrë për çështjet europiane dhe euroaziatike, i cili shoqërohej nga ambasadorja e SHBA, znj. Yuri Kim. Takimi u zhvillua në një atmosferë shumë miqësore, çka evokon njohjen historike institucionale dhe të vlerave qeverisëse të Mbretërisë Shqiptare nga SHBA – demokracia më e madhe e asaj kohe e më pas. Sigurisht, kjo atmosferë evokon edhe faktin po ashtu historik se Mbretëresha e Shqipërisë kishte origjinë dhe qytetari amerikane, çka përbënte një arsye më shumë për këtë njohje. Përfshirja e Princ Lekës në axhendën e zgjedhur të takimeve të shtetarit amerikan në situatën e ndezur politike aktuale të vendit tonë, është një sinjal i qartë për referencën e vlerave institucionale të Mbretërisë Shqiptare, si dhe për referencën e vlerave politike të së djathtës shqiptare nën qeverisjen e mbretit, të cilat mbeten referenca për sot dhe për të ardhmen e Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i Mbretit Zog me SHBA kanë qenë të shkëlqyera dhe konstante. Pas shpalljes së Mbretërisë Shqiptare më 1 shtator 1928, Presidenti i SHBA-ve Calvin Coolidge (2 gusht 1923 – 4 mars 1929), më 12 shtator 1928 i drejtohet me një mesazh Mbretit Zog I: “Qeveria ime ka marrë shënim veprimin e Asamblesë Kushtetuese të Shqipërisë për ndryshimin e formës së qeverisë së Shqipërisë në atë të një monarkie kushtetuese dhe shpalljen e Presidentit Ahmed Zogu, Zogu i Parë, Mbret i Shqiptarëve”. Është kënaqësia ime t’ju çoj Madhërisë Tuaj dhe popullit të Shqipërisë urimet me rastin e ardhjes tuaj në fron. Populli amerikan bashkohet me mua për të shprehur urimet më të mira për shëndet të mirë dhe lumturinë e Madhërisë suaj dhe për prosperitetin e Shqipërisë”. Zyrtarë të lartë dhe diplomatët amerikanë kanë vlerësuar në vazhdimësi, figurën e Zogut. Kështu, për shembull, ambasadori amerikan Hugh Grant, i cili shërbeu në Shqipëri në vitet 1935-1939, ka shkruajtur: “Besoj se historia në gjykimin e saj të fundit, të paanshëm e të drejtë, do ta përmendë Zogun e Parë, Mbretin e Shqiptarëve, si një nga udhëheqësit më të famshëm ushtarak dhe politik, si një prijës patriot e trim, me një inteligjencë dhe zgjuarsi të jashtëzakonshme, me të cilat mundi të përballojë dhe të zgjidhë problemet e koklavitura të mbajtjes gjallë të popullit liridashës dhe patriot shqiptar. Patjetër nuk kishte ndonjë shitje të Shqipërisë tek Italia nga ana e Mbretit Zog. Një shpifje e tillë është një fyerje që i bëhet karakterit dhe patriotizmit të Ahmet Zogut”. SHBA dhe Familja Mbretërore shqiptare kanë edhe një lidhje mjaft specifike, e cila ka të bëjë me prejardhjen e Mbretëreshës Geraldinë. Familja e saj Apponyi përveçse në lidhje gjaku me pothuajse të gjitha mbretëritë e Europës, ka një raport të veçantë edhe me Amerikën. Gjyshi i Mbretëreshës Geraldinë, Xhon Herri Stjuart ishte diplomat i suksesshëm i SHBA, ndërsa gjyshja e Mbretëreshës, ishte pinjolle e familjes Hardingun, pronarë të mëdhenj tokash në Karolinën e Veriut. Nëna e Mbretëreshës Geraldinë, Kontesha Gladyds Virginia Stjuart, ishte shtetase amerikane shumë e pasur nga Marylend, babai i së cilës u bë edhe Konsull i Përgjithshëm i SHBA në Holandë.
-Sipas jush, çfarë përfaqëson në histori figura e Ahmet Zogut, ku ka shumë akuza nga kundërshtarët e tij?
Fillimisht po citoj çfarë thonë vetëm tre prej tyre, të cilët edhe pse ishin kundërshtarë të ashpër të tij, ishin njëherësh institucionalisht të drejtë në vlerësimet që i atribuonin Ahmet Zogut. Fan Noli deklaronte se “Ahmet bej Mati, është djalë fare i ri, por është luan nga zemra dhe hekur nga karakteri”. Ndërsa Faik Konica, një nga mendjet e ndritura të kombit shqiptar, deklaronte se me Mbretin Zog “Shqipëria ka njërin prej ekzekutivëve më të shquar të botës”. Një njohës dhe pjesëmarrës aktiv në zhvillimet politike në Shqipërinë e atyre kohëve, Eqrem bej Vlora, vlerësonte se: “Në këtë botë egoiste askush nuk të dhuron gjë badihava. Ahmet Zogu e ka merituar suksesin e tij me vështirësitë, mundimet dhe rreziqet që iu desh të përballojë”.Tani ta marrim më gjerë pyetjen tuaj. Historia e Shqipërisë është në një proces rishikimi, duke e ngritur secilin në piedestalin legjitim përkundrejt kontributeve që ka dhënë në dobi të atdheut, shtetit dhe kombit shqiptar. E vërteta dhe faktet po dëshmojnë se figura e Zogut, po lartësohet gjithnjë e më shumë. Regjimi komunist, jo vetëm që la pasoja të rënda në dimensionin kombëtar, goditi liritë e të drejtat themelore të njeriut, varfëroi në ekstrem vendin ekonomikisht, etj., por deformoi rëndë edhe historinë e Shqipërisë. Për të arritur këto qëllime, i nisur nga kritere klasore e politike, u përpoq të errësojë dhe madje të shuajë çdo kontribut e vlerë të dinastive dhe personaliteteve historike, midis tyre edhe të Ahmet Zogut. Është një fakt i njohur se Shqipërinë dhe nacionalizmin shqiptar e mbajtën gjallë më të interesuarit, oxhakët dhe personalitetet që e kishin lidhur fatin e tyre me fatin e Shqipërisë. Dinastia Zogolli njihet si njëra prej tyre. Po rendis disa fakte. Ahmet Zogu, bir i kësaj dinastie, përfaqësoi krahinën e Matit në Kuvendin e Vlorës për shpalljen e Pavarësisë. Në roje të pavarësisë së saposhpallur të vendit, ishte pikërisht Ahmet Zogu, që organizoi dhe angazhoi forcat e tij në Kakarriq kundër forcave serbo-malazeze, duke vënë jetën e tij në sakrificë për lirinë e Atdheut. Intuita, interesimi dhe detyrimi i brendshëm kombëtar, do ta çonte Ahmet Zogun të bëhej një nga organizatorët kryesorë të Kongresit të Lushnjes, ku mori përgjegjësinë e madhe të sigurisë së punimeve të tij. Me meritë, Kongresi e caktoi Ministër të Brendshëm, një post që kërkonte kurajo dhe guxim. Në mbështetje të vendimit të qeverisë të dalë nga Kongresi i Lushnjës për ta bërë vendin me kryeqytet, ishte vendosmëria e Ahmet Zogut që i hapi asaj rrugën për t’u zhvendosur dhe instaluar në Tiranë. Ministri i Brendshëm A. Zogu me trupat e xhandarmërisë që sapo krijoi, vuri autoritetin e shtetit me rend dhe siguri në të gjithë territorin e vendit. Koha, kontributet, këmbëngulja, vendosmëria, vizioni dhe angazhimi me burime njerëzore e financiare do ta sillte natyrshëm që Ahmet Zogu të besohej në postin e Kryeministrit të vendit, një post që, kur e mori, e mbajti pa ndërprerje për rreth dy vjet. Jetëgjatësia si kryeministër ishte një kontribut domethënës për stabilitetin e vendit. Kujtojmë se nga viti 1912 e deri në atë kohë, Shqipëria kishte ndërruar 17 qeveri. Jetëgjatësia e tyre ishte mesatarisht 7 muaj, madje pati qeveri që zgjati vetëm disa orë! Për herë të parë dhe të vetme në historinë parlamentare të Shqipërisë, Parlamenti u formësua në dy dhoma: Senati dhe Dhoma e Deputetëve. Me ekspertizën më të mirë perëndimore u ngrit Ushtria Kombëtare, me të gjitha strukturat krahasuese europiane, të cilës iu dha një mbështetje e pashembullt, duke i akorduar buxhet përparësor. U shenjtërua prona dhe kadastra si elementë themelorë të së drejtës. Liria e shprehjes dhe e shtypit në epokën zogiste ishte e plotë. Është fakt, që në atë periudhë u botuan gazeta të gjithfarëllojshme opozitare, në të cilat nuk ishte blasfemi dhe nuk ndëshkohej kush pse shkruante kundër qeverisë apo edhe vetë Mbretit. U vendosën në eficencë të plotë pasuritë tokësore e nëntokësore të vendit. U ndërtua nga fillimi infrastruktura rrugore dhe ura të shumta. Pikërisht në atë kohë mori formë kryeqyteti shqiptar, me korpuset kryesore, të cilët akoma edhe sot përbëjnë pasaportën e identitetit të tij urban. Shteti në kohën e Mbretit Zog, e bëri krenar shqiptarin, ku me politikat e ndjekura, iu garantua lëvizja e lirë me një pasaportë të denjë për të paraqitur identitetin e tij në çdo vend të botës. Paraja shqiptare, napoloni i famshëm, ishte një nga monedhat më të forta të kohës. U masivizua arsimi kombëtar duke i dhënë prioritet edukimit të brezit të ri me frymën kombëtare. U respektuan, si në asnjë vend fqinj, të drejtat e minoriteteve për arsimim në gjuhën e tyre. Mbretëria shqiptare garantoi me ligj lirinë e besimeve fetare. Me një lëvizje të vendosur dhe të papërsëritshme, krijoi të gjitha kushtet për shpalljen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare (12 prill 1937). Ndërkohë, Zogu qysh në vjeshtën e vitit 1925, kishte garantuar ngritjen në Shqipëri të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Shkurt, Mbreti Zog u bë figura më madhore dhe qendrore e historisë së Shqipërisë, që hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor europian. Këto vlera bëhen akoma më të prekshme e të ndjeshme, kur shqiptarët bëjnë krahasimin se çfarë panë pas Ahmet Zogut nga prilli 1939 dhe shohin ende sot.
-Sipas jush a është vlerësuar? Kemi një bulevard dhe monument të tijin në Tiranë.
Pikërisht, ndër prioritetet e mia kryesore si kryetar dhe deputet i PLL ka qenë rivlerësimi dhe nderimet e plota për Mbretin Zog dhe Familjen Mbretërore. Mund të them me krenari se ia kemi arritur qëllimit në maksimumin e mundshëm, në raport me baltën e madhe të hedhur gjatë diktaturës komuniste. Emrin e Mbretit Zog dhe Nënës Mbretëreshë Geraldinë, e mbajnë sheshe, bulevarde, institucione, rrugë, shkolla, etj., jo vetëm në Tiranë, por edhe në Shkodër, Mat, Durrës, Elbasan, Kukës, Sarandë e në shumë qytete të tjera të Shqipërisë dhe trevave shqiptare. Në sheshin kryesor të Burrelit është monumenti i Mbretit Zog. Më 24 dhjetor 2012, në Bulevardin “Zogu I” në Tiranë, në një ceremoni dinjitoze dhe madhështore, u vendos monumenti i Mbretit Zog. Monumentet na e mbajnë gjallë kujtesën, sepse një popull që nuk mban gjallë të kaluarën, rrezikon edhe të ardhmen. Mbreti Zog dhe Nëna Mbretëreshë Geraldinë, janë dekoruar nga drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar me medaljet më të larta.
-Si u arrit kthimi i Familjes Mbretërore në atdhe?
Ishte një arritje shumë e madhe. Me nismën e grupit parlamentar të PLL, në pranverën e vitit 2002 dhe pas një lobimi të fuqishëm me drejtuesit e partive parlamentare, më 17 qershor 2002, u arrit një marrëveshje politike ku kryetarët e 9 grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, firmosën një dokument të përbashkët, për kthimin e Familjes Mbretërore në atdhe, deklarata e grupeve parlamentare u shoqërua me kërkesën e 74 deputetëve firmëtarë (= 52.9% të numrit të deputetëve nga 140 që kishte Kuvendi), ku kërkohej: “Ne, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të mbështetur në vlerësimin që kemi për historinë e shtetit shqiptar dhe vazhdimësinë e tij juridike, si dhe në zhvillimet e sotme demokratike, paraqesim kërkesën tonë që Nëna Mbretëreshë Geraldina dhe Familja Mbretërore Shqiptare të vijnë e të jetojnë përgjithmonë në Shqipëri”. Pas 63 vitesh mërgimi të detyruar nëpër vende të ndryshme të botës, Familja Mbretërore u kthye përfundimisht në atdhe më 28 qershor 2002, ditë e premte, me të gjitha nderimet e duhura, ashtu sikurse e meritonte.
-Po kthimi i eshtrave të Mbretit Zog?
Në njohje dhe vlerësim të personalitetit, kontributeve dhe trashëgimisë historike e kombëtare, të Mbretit Zog, shteti shqiptar me një ceremoni dinjitoze dhe madhështore ktheu eshtrat e Mbretit Zog në Atdhe, të cilat në 17 nëntor 2012, u vendosën në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore në Tiranë, duke përmbushur kështu një detyrim historik, patriotik, moral dhe human. Përzgjedhja e datës 17 nëntor u bë në respekt të një simbolike shumë domethënëse: pikërisht në mëngjesin e 17 nëntorit 1944, forcat komuniste shkatërruan mauzoleumin ku preheshin eshtrat e Nënës Mbretëreshë Sadije dhe hynë triumfalisht në Tiranë si çlirimtarë, “a thua se ai varr ishte gjermani i fundit”. Prandaj, pikërisht më 17 nëntor 2012 me nismën e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” dhe mbështetjen e Kryeministrit z. Sali Berisha, u kthyen në atdhe eshtrat e Mbretit Zog I dhe u vendosën të prehen përjetësisht në mauzoleumin e rindërtuar nga qeveria, si një replikë e modernizuar e mauzoleumit origjinal, që ishte ndërtuar në dhjetor 1935. Kjo datë simbolike e ringritjes së tij dëshmon vullnetin e kombit shqiptar për ndreqjen e padrejtësive historike. Ky moment shumë i rëndësishëm për autoritetin e shtetit shqiptar në demokraci u përzgjodh me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, për shkak se shumë vite të historisë së shtetit shqiptar lidhen me figurën e Ahmet Zogut. Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani i akordoi Naltmadhnisë së Tij Zogut I, Mbretit të Shqiptarëve “Urdhrin e Flamurit Kombëtar” (pas vdekjes), me motivacionin: “Figurë madhore e qendrore e historisë së Shqipërisë, që hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor europian. Ideator dhe realizues i administratës së parë të shtetit shqiptar, si dhe i një legjislacioni bashkëkohor të niveleve të larta, që do t’i hapte rrugë emancipimit shoqëror dhe zhvillimit të vendit. Personalitet që gjithë jetën e tij e lidhi me fatet e kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”.
Intervistoi: Rigels Seliman