Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj tha se koronavirusi nuk ka ikur. Madje, pas dy javësh nga lehtësimi i masave pritet një rritje e numrit të të infektuarve.
“Tani kemi një tablo të plotë dhe e dimë nëse kemi 1 mijë të infektuar, do të kemi 20-25% të shtruar në spital, deri në 20 për terapi intensive. Gjithsesi, këto shifra janë të përballueshme me burimet aktuale që kemi në dispozicion. Ne e dimë shumë mirë që do të ketë rritje sepse lirimi i masave do të thotë kontakte më shumë, jo të gjithë njerëzit do t’i respektojnë për një arsye apo një tjetër dhe do të shohim pas dy javësh sa të sëmurë kemi”.
773 janë raste të konfirmuara zyrtarisht me Covid-19, por referuar llogaritjeve të mjekëve, aktualisht mund të jenë mbi 35 mijë të infektuar, pjesa më e madhe pa shenja. Për drejtorin e Urgjencës Kombëtare, fazat e sëmundjes deri te shërimi nuk kanë qenë të lehta. Edhe pse i ngjashëm vetëm në fillimet e sëmundjes me virozën e stinës, Covid-19 nuk është si gripi.
“Nuk janë identike, nuk konsiderohet grip. Në betejë, kur nuk e sheh armikun, nuk e di nga të vjen dhe mund të të kapë, siç më kapi edhe mua. Për fatin e mirë, unë kisha një formë të mesme, të lehtë dhe tani jemi sërish në betejë”, – shprehet Brataj për A2.