Postimi i një fotografie në Instagram, ku paraqitej harta e Kosovës me flamurin serb në të, ka ngjallur reagime të shumta ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
“Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por dhe nuk harron, dhe nuk do të lejojë që 17 marsi të ndodhë përsëri”, ka shkruar Vuçiq mbi fotografinë, që e publikoi në llogarinë personale.
Përveç shoqërisë civile, për deklaratën e tij kanë reaguar edhe shumë politikanë në Kosovë e Shqipëri.
Veprimin e presidentit serb, e ka komentuar edhe eksperti i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit Richard Caplan.
Caplan e ka quajtur “provokues” veprimin e Vuçiqit, duke thënë se është e vështirë të dihet se pse e ka publikuar atë në këtë kohë.
“Sigurisht që është një gjest provokues. Është e vështirë të shohësh se për çfarë qëllimi shërben – domethënë, pse në këtë kohë të veçantë?”, ka thënë ai.
Profesori pret që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të tregohen të matura dhe të injorojnë “gjestin nxitës” të Vuçiqit.
“Në diplomaci shpesh është e matur të injorosh gjestet nxitëse, gjë që unë pres që do të bëjnë SHBA-ja dhe BE-ja”, është shprehur më tej Caplan.
Sipas ekspertit britanik, njohja reciproke Kosovë-Serbi gjatë mandatit të Vuçiqit do të jetë e mundur, por jo momentalisht.
“Njohja e ndërsjellë gjatë mandatit të Vuçiqit është e mundur, por për momentin është një qëllim i pakapshëm”, ka shtuar Richard Caplan.