Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, për disa muaj ka mbajtur qëndrim kundër subjektit të cilit i takon, LDK’së, duke e kundërshtuar në shumë vendime, ndërsa ka shprehur haptas simpatinë që ka ndaj Vetëvendosjes dhe liderit të saj, Albin Kurti. E pas propozimit të kryetarit të LDK-së që të votohet për shkarkimin e saj nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së kryesisë, Osmanit po i del në mbrojtje nënkryetarja e Vetëvendosjes, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku.
Isa Mustafa ka vendosur të marrë masa ndaj të “rebeluarës” brenda LDK-së, Vjosa Osmanit, e cila nuk e ka votuar Qeverinë Hoti, ka votuar kundër mocionit të LDK’së për rrëzimin e Qeverisë Kurti dhe është raportuar se ka mbajtur takime të ndara me liderin e VV’së, Albin Kurti.
Vjosa për një kohë kishte luajtur rolin e avokates së Vetëvendosjes, duke ju dalur në mbrojtje jo rrallë herë, pasi që ‘koalicioni i shpresës’ VV-LDK, ishte prishur.
Osmani së fundmi kishte thënë se edhe ‘zogjtë e malit e dinë kanë qëndrime të përbashkëta me Kurtin’, çka kishte irrituar tej mase simpatizantët dhe zyrtarë të LDK-së.
E tash kryeparlamentares, po i del në ndihmë nënkryetarja e Vetëvendosjes, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku,
Ajo ka thënë se Osmani ka qenë personi më këmbëngulës që të arrihej koalicionin mes VV-së dhe LDK-së dhe nëse parimet bëhen mollë sherri me krerët e partisë ia vlen të sakrifikosh.
Postimi i plotë:
“Nga koha e negociatave për bashkëqeverisje me LDK, si personin më të sinqertë dhe këmbëngulës për arritjen e kësaj bashkëqeverisje, mbaj në mend znj. Vjosa Osmani.
Shumë të freskët në mendje e kam momentin, kur më në fund edhe u arrit rezultati pozitiv dhe kur shkrepëm një foto të përbashkët.
Deri atëherë, Vjosën e kam njohur si kolege deputete, por jo më afër.
Nëse parimet bëhen mollë sherri me krerët e subjektit politik, ia vlen të sakrifikosh!”