Mbrëmë nëpërmjet video lidhjes është mbajtur seanca për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku është folur për raportin periodik të shefit të UNMIK-ut që trajton situatën në Kosovë. Si zakonisht, 15 shtetet anëtare që e kanë për detyrë ta ruajnë paqen dhe sigurinë në botë, kanë dhënë vlerësimet burokratike për situatën në Kosovë, por sho’un atyre ua vodhi Christoph Heusgen, ambasadori gjerman në Kombet e Bashkuara i cili nuk e la pa e ngacmuar as përfaqësuesin rus Nebenzya Vasily Alekseevich.Por, veçmas u kujdes t’i japë leksion Ivica Daciqit, i cili ishte në ditën e fundit në detyrën e kryediplomatit të Serbisë. Probleme teknike me mikrofonë, ngrirje të fotografisë e gabime në identifikim të pjesëmarrësve. Por, jo vetëm këto kanë qenë problemet që e kanë përcjellë seancën e mbrëmshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që prej tashmë 20 vitesh diskuton në baza të rregullta për Kosovën. Kosova për herë të parë është përfaqësuar nga kryediplomatja e Kosovës Meliza Haradinaj -Stublla të cilën diplomati i misionit britanik në OKB e ngatërroi ambasadoren e Kosovës në SHBA Vlora Çitakun e cila viteve të fundit ka qenë zëri i Kosovës në OKB.
Haradinaj -Stublla është bërë objekt i debatit ndërmjet përfaqësuesit gjerman dhe atij rus Nebenzya Vasily Alekseevich i cili është kryesues i këshillit për muajin tetor. Heusgen, dikur këshilltar kryesor i Angela Merkel e tani ambasador i Gjermanisë në OKB ka ushtuar mbrëmë tërë peshën e tij diplomatike duke i thënë diplomatit rus që t’i vazhdohet fjala diplomates kosovare. Për këtë, diplomati rus ka ka kërkuar falje duke thënë se ka menduar që Haradinaj -Stublla ka përfunduar fjalën e saj për shkak të bllokimit të videos.Heusgen e ka sfiduar edhe rusin edhe për mospraninë e Miroslav Lajcak që Gjermania e kishte kërkuar aty për të raportuar rreth rrjedhës së bisedimeve Kosovë -Serbi. Diplomati rus është mbrojtur rreth kësaj çështjeje duke i thënë gjermanit se kanë vendosur që të mos e thërrasin diplomatik sllovak vetëm pasi misioni gjerman u ka thënë atyre që raportimi i tij nuk është aq urgjent. Heusgen nuk është ndalë me kaq, ai i ka kërkuar diplomates kosovare që ta përcjellë qëndrimin e Kosovës për Gjykatën Speciale.Por, Heusgen është kujdesur që goditjen kryesore t’ia japë Ivica Daçiqit i cili mbrëmë ishte në ditën e fundit si kryediplomat në Qeverinë e Serbisë detyrë që e ka mbajtur për 6 vjet. Sot Daçiq është zgjedhur kryetar i parlamentit të Serbisë.
Daçiq që ka lexuar fjalimin në gjuhën angleze nga diplomati gjerman është kritikuar se ka përgatitur një fjalim “copy – paste”.“Unë jam i befasuar nga kjo politikë e përpjekjes për të tërhequr njohjen. Miqtë tanë serbë janë duke qëlluar veten në këmbë, sepse nëse ata duan t’i bashkohen me BE-së, ata duhet të punojnë në njohjen dhe ta njohin vet (Kosovën)”, tha ambasadori gjerman.Heusgen i ka thënë haptazi Daçiqin se përfaqësuesit e Serbisë flasin shumë për krimet e shqiptarëve dhe kurrë nuk kanë dëgjuar për krimet e kryera kundër shqiptarëve në vitin 1998 dhe 1999, të tilla si, spastrimi etnik dhe dëbimin masiv.Ky reagim i Heusgen ka ardhur pas deklaratave të Daçiq se “duhen të dënohen krimet që ka kryer UÇK ndaj serbëve dhe romëve në Kosovë dhe Metohi dhe ndaj vetë shqiptarëve”Ndryshe, përfaqësuesi rus i cili si kryesues e ka drejtuar seancën me mirësjellje, pasi e ka marrë fjalën për ta shpalosur qëndrimin e Rusisë për zhvillimet në Kosovë, ka kritikuar ministren kosovare për ekspozimin e flamurit të Kosovës. Ndërkohë që Kosovën e ka quajtur pjesë të Serbisë ka bërë kritike të ashpra ndaj autoriteteve të Kosovës për bojkotim të punës së UNMIK’ut dhe për kërkesat që ky mision të largohet nga Kosova. Ndryshe, vendet e BE’së të këshillit të Sigurimit belgjika, Estonia, Franca e Gjermania të cilave u janë bashkuar edhe Irlanda dhe Norvegjia i kanë dhënë mbështetje dialogut Kosovë -Serbi dhe ndërmjetësit Miroslav Lajcak, kanë kërkuar që Kosova të bashkëpunojë me Gjykatën Speciale ndërkohë që Kosovës dhe Serbisë i kanë kërkuar që të ndalin retorikën provokative që do të mund të çonte në ndaljen e dialogut.