Me hapjen e fushatës elektorale, Edi Rama thuajse në cdo takim elektoral ka bërë pjesë të retorikës me sulme, ironi dhe etiketime, jo vetëm Lulzim Bashën, por edhe aleatët e opozitës, mes të cilëve edhe Shpëtim Idrizin. Kreu i PDIU-së, i është përgjigjur mbrëmjen e sotme nga emisioni “Log.” në ABC, të drejtuar nga Endri Xhafo.
“Nga pikëpamja e peshës është një lloj konfirmimi dhe me sulmin që bën, Rama e rikonfirmon, se ai merret me atë që i del përpara.
Më vjen shumë keq, jo për Ramën se e njoh shumë mirë, por për kryeministrin e vendit tim që duhet të jetë i kujdesshëm për gjuhën, bëhet karagjoz, më kujton një personazh, me thënë të drejtën të më falë që do e përmend, ka qenë një Gëzim Kulufi.
Të gjithë e njohim, është më i mirë se ky në fakt, i cili ngacmonte cdo njeri që shihte në rrugë. Ashtu sikur më kujton mikun tim Kim Mehmeti, që më thoshte “o Shpëtim nuk është faji i Ramës por i shqiptarëve, se Ramën po e çove në spital nuk e kthejnë më mbrapsht” tha Idrizi.
Në vijim të bisedës në studio, Idrizi i kujtoi Edi Ramës një borxh të vjetër. “Mbaj mend që i kam dhënë borxh zotit Rama për ta ndihmuar sepse më vinte keq, që ai pas shumë vitesh emigracion erdhi në Shqipëri vetëm me 3 mijë euro, të paktën këtë ka treguar” tha ai.
Por, a ja ktheu më pas borxhin? “Jemi duke ia kthyer njëri tjetrit këtë kohë dhe kemi kohë deri në datë në 25, e kemi kthim në natyrë”.
Shpëtim Idrizi nuk u mjaftua me kaq, pasi kishte edhe një mesazh të koduar. “E kam ndihmuar njëherë edhe me sistemin e patronazhit, kur kam punuar me të, por do ja them njëherë tjetër”.
Por përse sillet Edi Rama kështu me PDIU-në? Idrizi tha se kryeministri ka frikë nga votat e partisë së tij, pasi përcaktojnë mandate në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë dhe Elbasan.
“Ai e di shumë mirë që votat e PDIU-së në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë dhe Elbasan prodhojnë mandate për opozitën, dhe ja heqin Edi Ramës” përfundoi Idrizi.