Byroja Kombëtare e Hetimit duket se do të jetë shumë shpejt në patronazhin e amerikanëve. Javën që lamë pas u kualifikuan 28 hetuesit finalë, të cilët pas trajnimit do të marrin detyrën dhe do të asistojnë prokurorët e SPAK në hetimin e dosjeve të bujshme.
Por BKH do të jetë një organ që do të ndihmohet në pjesën më të madhe nga FBI. Pak kohë më parë, Departamenti i Drejtësisë në SHBA përmes ICITAP kanë shpallur thirrjen, ku kërkojnë një “trajner” që të ketë qenë pjesë e FBI, i cili do të marrë në patronazh Byronë e Hetimit.
“ICITAP Shqipëri, po kërkon një profesionist të zbatimit të ligjit për të vepruar si këshilltar kryesor në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) të sapo themeluar. Preferohet që kandidati të ketë një karrierë të suksesshme dhe përvojë pune me Byronë Federale të Hetimit (FBI) dhe të ketë aftësi që kanë të bëjnë me monitorimin dhe këshillimin e Drejtorit të BKH dhe ekipit të saj të hetuesve”, – theksohet një njoftim.
Pra ashtu sikundër ishte bërë e ditur kohë më parë se BKH do të jetë një organ i asistuar nga amerikanët, duket se tashmë kjo është bërë realitet. Shpallja është bërë disa javë më parë dhe me shumë gjasë Departamenti i Drejtësisë e ka përzgjedhur personin, i cili do të trajnojë Aida Hajnajn dhe ekipin e saj.
Roli i agjentit të FBI
Më poshtë janë dhënë dhe detajet e rolit që do të ketë agjenti i FBI, i cili do të merret me trajnimin e hetuesve të BKH. Së pari ai do të monitorojë dhe këshillojë ekipin e hetuesve teksa kryejnë operacione proaktive, duke përfshirë mbikëqyrjen e fshehtë, mbledhjen e të dhënave, hetimet, arrestimet dhe mbledhjen e provave.
“Do të ndihmojë drejtorin e BKH që të ketë një partneritet të integruar pune me prokurorët specialë, policinë dhe me institucionet e tjera ligjzbatuese. Do të ndihmojë BKH që të hartojë një strategji proaktive në luftën kundër krimit, duke shënjestruar grupet kriminale dhe zyrtarët e korruptuar në gjyqësor apo administratën publike. Do të monitorojë vazhdimisht performancën e hetuesve të BKH dhe do të këshillojë drejtuesin për procesin trajnimeve. Po ashtu do të ndihmojë drejtuesin e BKH në hartëzimin e krimit, analizën e inteligjencës dhe raportimin. Do të këshillojë Drejtorin e BKH dhe Kryeprokurorin Special për ngritjen e Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve. Do të ndihmojë Drejtorin e BKH-së në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e një kulture profesionale dhe etike midis të gjithë punonjësve”, – theksohet në dokument.
Hetimet e bujshme
Ajo që vihet re nga njoftimi është se drejtuesi i BKH nuk do të shërbejë vetëm për trajnim, por ai do të ndihmojë hetuesit dhe në hapjen e dosjeve të bujshme. Në shpallje tregohet qartë se ata do të ndihmojnë drejtuesen e BKH dhe hetuesit që të godasin pa mëshirë botën e krimit të organizuar dhe zyrtarët e korruptuar. Elementi interesant është se përfaqësuesi i FBI pritet të qëndrojë rreth dy vite në vendin tonë dhe çdo lëvizje të hetuesve do të monitorohet prej tij. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë mundësi që politika apo të korruptuarit të ndikojnë në procesin hetimor.