Suedia është një nga vendet europiane që nuk rrezikohet nga një shpërthim i ri i pandemisë së koronavirusit. Ajo u kritikua për qasjen e saj ndaj pandemisë së koronavirusit, pasi në kohën kur Covid-19 përhapej me shpejtësi në Europë, ajo zgjodhi të mos ndiqte rrugën e karantinës.
Shumë zëra thanë se kjo qasje nuk pati efekt për imunizimin në masë. Por ndërkohë, imuniteti ndaj koronavirusit mund të jetë më i madh nga sa është menduar.
Një studim i ri i realizuar nga Instituti suedez Karolinska dhe Spitali Universitar Karolinska, tregoi se shumë persona me simptoma të lehta dhe ata që janë asimptomatikë, kanë imunitetit të ndërmjetësuar nga qelizat T.
Kjo edhe është arsyeja se pse studiuesit kanë arsye të besojnë se imuniteti njerëzor është më i lartë, sesa që tregojnë testet e antitrupave. “Qelizat T janë një lloj qelize e bardhë e gjakut që është e specializuar në njohjen e qelizave të infektuara nga virusi, dhe janë thelbësore për sistemin imunitar. Analizat e avancuara lejojnë hartimin e përgjigjeve të qelizave T gjatë dhe pas infeksionit me COVID-19.
Rezultatet tona kanë treguar se dy herë më shumë njerëz kanë zhvilluar imunitetin e qelizave T, krahasuar me ata tek të cilët mund të zbulohen antitrupat”, thotë Marcus Buger, profesor në Qendrën për Mjekësi Infektive në Institutin Karolinska dhe një nga autorët e studimit. Rezultatet tregojnë sipas tij se imuniteti ndaj COVID-19 është ndoshta më i lartë sesa që kanë treguar testet e antitrupave, dhe ky konsiderohet një lajm shumë mirë nga perspektiva e shëndetit publik.