Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, pa u bërë 24 orë nga marrëveshja me të dërguarin e Trump, Richard Grenell, ka thyer marrëveshjen me të.
Ai ka biseduar në telefon me ministrin e Jashtëm të Algjerisë të cilin e ka falënderuar për mos-njohjen e Kosovës, kjo pavarësisht që Grenell deklaroi që ka marrë zotimin e qeverisë serbe për të ndalur fushatën për mos-njohje të Kosovës, shkruan gazeta inFokus.
Gazeta inFokus, ka kontaktuar me zyrën e të dërguarit të posaçëm të Presidentit të ShBA-ve, Richard Grenell. Këtë e ka pyetur nëse ky gjest i Daçiq është argument që Serbia nuk është gati për dialogun në Uashington dhe se nuk janë të gatshëm për marrëveshjen finale dhe nëse e shohin këtë gjest është thyerje e zotimit nga Serbia.
Dick Custin, zëdhënës i Grenell, i ka kthyer përgjigje Infokusit, në lidhje me këto çështje, ani se nuk ka dhënë ndonjë informatë.
“Faleminderit për pyetjet. Fatkeqësisht, nuk kam ndonjë gjë për juve në këtë kohë”, thuhet në përgjigjen e Custin.
Megjithatë, kjo përgjigje, nëse krahasohet me përgjigjen e një dite më parë që Custin i ka kthyer inFokusit, nënkuptohet që janë duke e shqyrtuar veprimin që ka bërë Daçiq.
Një ditë më parë, para se Grenell të tregoj që javën tjetër do të takohet me liderët e Kosovës e Sebrisë, për të njëjtën çështje duke u thirrë në burime inFokus kishte pyetur zyrën e Grenell.
E përgjigja e Custin ishte edhe më e shkurtër.
“Faleminderit për pyetjen. Fatkeqësisht, nuk kemi ndonjë gjë për juve”, kishte thënë Custin.