Ambasada ruse në Bosnjë e deklaroi hapur se Moska do të reagojë nëse Bosnja ndërmerr hapa drejt anëtarësimit në NATO, pasi do të konsiderojë këtë si një akt armiqësor.
Bosnja ka kohë që ka shpallur integrimin në NATO dhe Bashkimin Europian si objektiva strategjike.
Por, serbët e Bosnjës, të udhëhequr nga pro-rusi, Milorad Dodik, i cili aktualisht kryeson presidencën trepalëshe të vendit, duan që vendi të mbetet neutral dhe të qëndrojë jashtë aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
”Në rastin e afrimit praktik të Bosnjë-Hercegovinës dhe NATO-s, vendi ynë do të duhet të reagojë ndaj këtij akti armiqësor“, tha ambasada.
Ajo shtoi se qëllimi i NATO-s është një “luftë kundër Rusisë” dhe anëtarësimi do ta detyrojë Sarajevën të marrë anë në “konfrontimin ushtarako-politik“.
Rusia ka mbajtur prej kohësh një qëndrim kundër anëtarësimit të Bosnjës në NATO. Anëtari i presidencës kroate, Zeljko Komsiç dhe ai boshnjak Sefik Dzaferoviç, nuk pranuan të takonin ministrin e jashtëm rus Sergej Lavrov që vizitoi vendin në dhjetor, duke thënë se ai ka treguar mungesë respekti ndaj shtetit të tyre pas takimit të tij me zotin Dodik jashtë Sarajevës, pa asnjë flamur kombëtar të Bosnjës në sfond.