Gazetarja Rudina Xhunga e ftuar në edicionin e lajmeve në DritareTv foli për ndarjen nga jeta të Bashkim Finos. Gazetarja kujton njohjen me ish-kryeministrin e qeverisë së pajtimit kombëtar dhe intervistën me Fatos Nanon në ’97-ën, kur e pyeti ku e kishte gjetur Bashkim Finon.
“Në ’97-ën isha gazetare te Koha Jonë dhe bëra një intervistë me liderin e PS-së në atë kohë, Fatos Nano. “Ku e gjetët ju Bashkim Finon.”,-e pyeta. “E gjeta në vezën Kinder” –tha Nano dhe qeshi, duke i dhënë përgjigje pyetjes së madhe që bënin të gjithë ato kohë, ku u gjet ai njeri që e pëlqyen menjëherë të gjithë dhe qetësoi situatën vetëm me pamjen e tij dhe mënyrën e sjelljes.
Ishte një surprizë e madhe emri i tij, si një Kinder surprizë për fëmijët ishte ardhja e tij nga Gjirokastra në skenën politike kombëtare, në atë moment kur shqiptarët po kërkonin shpëtimin, pajtimin, mënyra sesi do të mbyllej kjo gjakderdhje masive. Bashkim Fino ishte emër në historinë tonë. Është ’97 jonë. Kush qe ai që do t’i thoshte PO drejtimit të qeverisë në atë kohë të çmendur siç ishte ’97-ta për Shqipërinë. Shumëkush e ka harruar ’97-ën.
Mbase pakkujt edhe i kujtohet roli i Finos në ’97-ën. E kemi parë Bashkim Finon duke pirë puro, nëpër rrugët e Bllokut, në kafen ku rrinte, në restorantin ku drekonte dhe dukej një personash i zakonshëm, njëri prej nesh. Jo, Bashkim Fino nuk ishte njëri prej nesh, ishte një personazh i veçantë, i cili në momentin më të rëndësishëm politik të Shqipërisë mori drejtimin e qeverisë.
Gjë që nuk e bën dot kushdo. Prandaj është e rëndësishme që Shqipëria e shpalli ditë zie dhe klasa politike u tërhoq nga fushata. Heshti, jo vetëm për të nderuar Bashkim Finon, por edhe Pajtimin Kombëtar. Njeriu i cili i tha po drejtimit të qeverisë “Pajtimi Kombëtar”, në mars. Dhe siç lindi në mars politikisht, ashtu edhe iku në mars, fizikisht”,– tha gazetarja.