Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Indrit Hoxha e sheh vettingun në politikë i hapin e parë të bashkëpunimit Rama-Basha.
I ftuar në emisionin “Breaking”, Hoxha ka hedhur akuza të ashpra në adresë të Bashës, duke deklaruar se ai e ktheu PD-në në një biznes personal, ndërsa e cilësoi edhe si gjobëvënës.
“Ky është kthyer në gjobëvënës. Makinën ia ka dhënë Viktoria Invest, vilat i ka tek Gon Papuli, kunati zyrat i ka tek Çet Kastrati dhe del e flet në Parlament dhe i përmend me emra dhe i shan. Siç duket Rama do i ketë vonuar këstin e radhës Bashës. Kur Bashës i vonohet kësti, del në publik dhe godet bizneset”, deklaroi Hoxha.
Akuzën e kthimit të PD-së në një biznes familjar, ai e lidhi me kunatin e Bashës, Erjon Isufi, që sipas tij ka përfituar tendera në këto 8 vite të qeverisjes së Ramës. “Basha del e thotë përditë se biznesi shqiptar është në krizë, por ndërkohë biznesi i kunatit të tij po pasurohet çdo ditë. Nëse e shikojmë, kompania e kunatit kishte në vitin 2013 gjithsej 10 punëtorë, tani ka 600, ka një rritje marramendëse. Në një kohë krize që siç thotë Basha atëherë pse biznesi i tij lulëzon. Rama i ka dhënë 15 milionë euro biznesit të kunatit të zotit Basha, si shpërblim sapo erdhi në qeveri”, tha Hoxha.
Ai shtoi se nëse do të kishte një vetting në politikë, ai duhej të niste nga familjarët e zotit Basha.