Arben Ristani, pjesë e Komisionit të Rithemelimit foli në “Top Talk” për përplasjet me ambasadoren amerikane Yuri Kim. Ambasadorja Kim kishte sot takim me Enkelejd Alibeajn, të cilin e cilëson si kryetarin në detyrë të PD. Për këtë ka reaguar menjëherë grupi i Rithemelimit duke thënë se Kim shkelmoi vendimin e gjykatës dhe injoroi vullnetin e zgjedhësve.
Ristani, i ftuar në “Top Talk”, u pyet përse nuk e kanë paditur ambasadoren amerikane për ndërhyrje në punët e brendshme dhe u përgjigj:
“Padi të tilla nuk shkojnë në këto raste se nuk zgjidhet me konflikt gjyqësor. Ka rrugë të tjera që mund të ndiqen. Ajo që është e dukshme është pikërisht kjo arrogancë antikushtetuese në një kohë kur pretendon që një vend duhet të bëhet pjesë e familjes europiane ku kushti kryesor është demokracia dhe shteti i së drejtës, për më tepër po rrëshkasim nëpërmjet keqqeverisjesh në një republikë bananesh.
Kjo e shton më tepër dozën e të qenurit një republikë bananesh pa sovranitet. Më vjen keq që nga partnerët tanë kaq të rëndësishëm si SHBA që përfaqësohen nga kjo ambasadore që është kaq arrogante dhe në mënyrë antiligjore bën përcaktime të tilla duke ndërhyrë në punët e brendshme të një partie politike.”, tha Ristani.