Duke folur për Euroneës Albania, avokati, Spartak Ngjela u shpreh se në korrik priten rezultate konkrete nga reforma në drejtësi.
“Prisni korrikun dhe do shikoni emra që do të habiteni. Në shtator asnjë nga listat që do ta paraqesin kryetarët e partive për zgjedhjet e reja nuk do të pranojnë të shkojnë në zgjedhjet e reja. Në korrik do të kemi shenjat e para të drejtësisë së re për t’u bindur të gjithë”, tha z. Ngjela.
Ish-ministri i Drejtësisë e cilësoi si ulëritëse faktin se 55% e gjyqtarëve që kanë kaluar në filtrat e vetingut janë shkarkuar nga detyra. Akoma edhe më e rëndë bëhet situata tha z. Ngjela se këtu përfshihen një pjesë e mirë e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë që nuk e kanë kaluar vetingun për korrupsion.
“Janë asgjësuar 60% e gjyqtarëve dhe do të vijojë akoma. Ka ikur për korrupsion Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese. Kanë ikur rreth 55% e gjyqtarëve të vetuar, e kuptoni se në çfarë gjendjeje të rëndë kemi qenë”, tha avokati.
Duke e konsideruar reformën në drejtësi një revolucion pa armë por që do të sjellë përmbysjen e një padrejtësie të madhe, z. Ngjela nënvizoi se, shumë shpejt do të dalin provat për korrupsionin në Shqipëri.
“E pranoni ju që ka korrupsion në Shqipëri? Po! E dini ju që po të ketë pushtet gjyqësor nuk mund të ketë korrupsion. Nuk ka pushtet gjyqësor ndaj ka korrupsion, Vidhni popullin se ne u lëmë, kjo është marrëveshja e tyre. Por këtë reformë po e bëjnë të huajt, nuk po e bëjnë vetë”, tha ai më tej.