Agron Gjekmarkaj tashmë është konfirmuar si një nga kandidatët e PD-së në qarkun e Lezhës. Por vetëm pak muaj më parë, pavarësisht zërave që thonin se ai do të kandidonte me PD-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Gjekmarkaj këmbëngulte se kjo gjë nuk do të ndodhte.
Në tetor të vitit 2020, një mbrëmje kur ishte i ftuar në emisionin “Open”, Gjekmarkaj pati një debat me Kreshnik Spahiun, ish-kreun e Aleancës Kuq e Zi.
Ndërsa i pari e akuzonte se po i shërbente qeverisë, i dyti i kundërpërgjigjej se Gjekmarkaj vetë po mbante qëndrimet që po mbante, sepse do bëhej pjesë e listave.
Por Gjekmarkaj e hodhi poshtë këtë mundësi, pavarësisht se emri i tij ishte futur në listat që u nxorrën më herët nga Komisioni i famshëm i Vlerësimit të Figurave të PD-së.
Debati:
Gjekmarkaj: Zoti Spahiu ka qenë në politikë, ka dështuar në politikë, domethënë nuk i ka ecur. Nuk është ndonjë hata e madhe, secili mund ta provojë dhe mund të dështojë.
Ka dalë në një moment e iu premtoi shqiptarëve se do dilte me 1 milionë shqiptarë dhe doli me një kalë.
Spahiu: Nuk jemi duke diskutuar për Aleancën Kuq e Zi Agron
Gjekmarkaj: Jo tani po i marrim gjërat shtruar. Ke tentuar të kesh marrëdhënie të mira me Sali Berishën, me Ilir Metën, me Lul Bashën, me Edi Ramën s’ia ke dalë. Tani je një pozicion tjetër në Gjermani, në pozicionin e emigrantit, një pozicion mjaft i nderuar, pork am qenë dhe unë dikur emigrant dhe student por nuk kam tentuar të bëj analiza për t’i shërbyer qeverisë nga ekrani, sepse ju dilni këtu çdo natë kinse i pavarur dhe i shërbeni në mënyrën më të shpifur qeverisë, në mënyrën më banale. Është një situatë gati e përshtyrosur që një jurist del e godet gjithë…
Spahiu: Nuk ka gjë më banale se çtë ka pështirosur Lul Basha ty, të ka thënë se do të fusë në lista o Agron
Gjekmarkaj: S’hyj në lista unë. Ja ku ta deklaroj këtu se s’do jem në lista unë. Rri i qetë. S’kam asnjë ambicie listash o zotëri.
Spahiu: Po lëre Agron tani
Gjekmarkaj: Ti del aty gjasme si i pavarur dhe gjuan këdo që gjuan qeverinë. Ore unë jam kundërshtar i qeverisë ore, unë nuk e fsheh fare. Jam gjithë ditën kundër qeverisë sepse nuk më bind kjo qeveri. S’e fsheh misionin tim. Nuk e fsheh dhe që jam i djathtë dhe po deshe po e deklaroj këtu para gjithë shqiptarëve. Por s’bëj rol gjasme si i pavarur si puna jote aty dhe del e lëpin gjithë ditën këpucët e qeverisë.