Sali Berisha e nisi foltoren e tij me demokratët për të krijuar një parti që sipas tij në fund do të dalë më e fortë dhe më e bashkuar. Por dukshëm demokratët janë ndarë në dy fraksione të mëdha brenda PD. Në njërën anë, Basha tenton vazhdimisht të sqaroj deputetët për vendimin e tij për largimin e Berishës nga grupi parlamentar, ndërsa vetë Berisha në tre foltoret e tij ka mundur të marrë mbështetjen e gjashtë deputetëve të grupit parlamentar.
Flamur Noka, Tritan Shehu, Edi Paloka dhe Isuf Çelaj e mbështetën Berishën në takimin e Tiranës. Në Fier ish-kryeministrin Berisha u prit nga kreu i degës së Fierit dhe deputeti i PD, Luan Baçi. Edhe në Vlorë, Berishës iu rezervua një pritje nga tjetër deputet i PD, njëherësh kreu i qarkut, Bujar Leskaj. Të mërkurën Sali Berisha do të jetë në Durrës për të takuar demokratët. Kreu i qarkut të Durrësit, Edi Paloka, njëherësh kreu i Këshillit Kombëtar të PD e ka shprehur hapur mbështetjen e tij për Berishën, ndërsa me interes pritet se çfarë qëndrimi do të mbajnë 5 deputetët e tjerë të PD, mes tyre edhe aleati i demokratëve, Agron Duka.
Pavarësisht kësaj vendimarrjeje të shprehur nga Berisha, mbështetësit e tij ende nuk kanë nisur mbledhjen e firmave për thirrjen e Kuvendit Kombëtar, organ që Lulzim Basha ka vendosur të mos e mbledh duke e bërë të qartë se asnjë karton demokrat nuk do të ngrihet për vendime të marra në DASH.