Një incident i rëndë diplomatik ka ndodhur për shkak të një postimi nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç. Në faqen e tij zyrtare të certifikuar në Instagram është bërë një postim provokues që ka ndezur pakënaqësi dhe reagime të shumta të politikanëve, qytetarëve por edhe të Bashkimit Europian. Vuçiç postoi një hartë të Kosovës të mbuluar nga flamuri serb, gjë që është një provokim i hapur në kohën kur e gjithë bota, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara janë duke ushtruar presion për avancim në procesin e dialogut Kosovë- Serbi, me njohjen nga Serbia të Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran.
Postimi i turpshëm i presidentit serb ishte ndjekur nga përshkrimi: “Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por dhe nuk harron, dhe nuk do të lejojë që 17 marsi të ndodhë përsëri”, referuar trazirave të marsit të 2004-ës ku mbetën të vdekur 11 shqiptarë dhe 8 serbë ndërsa qindra të tjerë u lënduan. Vuçiç, këtë e ka konsideruar këtë si masakër ndaj serbëve të Kosovës. Ditën e djeshme, Bashkimi Europian i ka bërë thirrje dy shteteve që të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat, të cilat shkojnë në kundërshtim me normalizimin e raporteve mes tyre.
“Bashkimi Evropian i ka ftuar gjithmonë të gjithë aktorët politikë në Serbi dhe Kosovë, sikur edhe në pjesë tjera të rajonit, që të angazhohen në veprime dhe deklarata, të cilat krijojnë dhe promovojnë atmosferën e pajtimit, stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit, e jo ta bëjnë të kundërtën” është përgjigjur një zëdhënës i BE-së për REL.
“Sikur kemi thënë disa herë gjatë viteve të kaluara, Serbia dhe Kosova duhet të përmbahen nga aktet dhe deklaratat, të cilat kanë efekt të kundërt për normalizimin e raporteve dhe të punojnë që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse” ka thënë ky zëdhënësi i BE-së. Ndërsa sh-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri ka reaguar ndaj postimit të Vuçiç, duke kujtuar një incident në Bruksel ku ai provokoi sërish. “Duket se ju mungojnë bombardimet e NATO-s”, tha ajo duke shtuar se i jep të njëjtën përgjigje dhe sot.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar ndaj gjestit të pavend të presidentit Vuçiç. Hoti tha se e gjitha kjo tregon qasjen destruktive që ka pasur ai në vazhdimësi në raport me Kosovë, pavarësisht zotimeve për paqe dhe stabilitet.
“Deklarata e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tregon qasjen destruktive që ka pasur në vazhdimësi fqinji ynë verior në raport me Republikën e Kosovës, përkundër zotimeve të shumta që Serbia i ka bërë, nën garancat e faktorit ndërkombëtar, për paqen, stabiliteti dhe prosperitetin e rajonit”, ka thënë Hoti me anë të një postimi në Facebook.
Gjithsesi ai ka vijuar se pavarësisht provokimeve nga pala serbe, Kosova vazhdon rrugëtimin drejt anëtarësimit sa më të shpejtë në NATO. Edhe kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj nuk ka ngelur pa dhënë një reagim në lidhje me ngjarjen. Hoxhaj në reagimin e tij në Twitter ka shkruar se sundimi autokratik është në një gjendje hipnoze ku propaganda dhe urrejtja nxiten kundër fqinjëve. Ai thekson se Kosova si një shtet i pavarur dhe sovran është muri i vlerave euro-atlantike. Nga politika shqiptare, reagimi fillestar ka qenë nga Ministri i Diasporës në Qeverinë e Shqipërisë, Pandeli Majko, i cili ka shkruar se e gjithë kjo tregon presidenti serb pëlqen papajtueshmërinë. Majko thekson se sovraniteti i Republikës së Kosovës garantohet nga NATO dhe jo nga instagrami.
“Diplomacia e fotove në Instagram zhvlerëson seriozitetin e shtetit serb në marrëdhëniet ndërkombëtare. Serbia duhet të mos kapitullojë përballë pamundësive të saj! As në instagram!”, thotë Majko. Sakaq, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se deklaratat dhe veprimet e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç nuk i shërbejnë bashkëpunimit, paqes dhe stabilitetit në rajon, ato nxisin konflikt dhe përçarje.”Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm”, tha ai.