Turqia kujtoi sot 4-vjetorin e grushtit të shtetit të 15 Korrikut 2016. Ndonëse atë natë rrugët e Stambollit dhe Ankarasë u kthyen në shesh lufte, Presidenti Erdogan e quan datë historike.
“15 Korriku është një ditë historike pasi arritëm të deshifrojmë qelizat e FETO-s. Që nga ajo natë kemi pastruar politikën, administratën, biznesin dhe median nga puçistët”.
Për këtë falenderon parlamentin dhe popullin.
“Nuk kam parë kuvend tjetër në botë që lufton kaq shumë për të drejtën. Nuk kam parë popull tjetër në botë që i del kaq shumë zot Kuvendit. Falenderoj Zotin për një popull të tillë”.
Nuk përjashton përsëritjen e atyre që ndodhën natën e 15 Korrikut.
“Ata që do të duan të hedhin në flakë Turqinë do të përballen ashtu si në 15 Korrik me njerëzit që do të dalin krahë njëri tjetrit për të ruajtur vendin, pavarësinë dhe demokracinë”.
Ka një mesazh edhe për fuqitë ndërkombëtare.
“Në botë janë hapur sërish letrat dhe kemi hyrë në një periudhë kritike. Turqia është në një pozicion strategjik, në kryqëzimin e tre kontinenteve. Pas gjendjes së Covid-19 do të marrim vendin që na takon dhe nuk do të humbasim asnjë mundësi”, duke nënkuptuar marrjen nën kontroll të ngushticës së Bosforit që aktualisht administrohet nga ndërkombëtarët.
Gjithashtu Turqia ka shprehur ambicien për një projekt gjigant për hapjen e një tjetër kanali që do të lidh detin Mesdhe me Detin e Zi duke u dhënë çelësat e një biznesi tregtar, më të madhin në të gjithë rajonin.