Zbulohen disa foto të panjohura që i përksin viteve 1956-të, ku diktatori komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, me disa nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, anëtarë të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së, si Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Ramiz Alia etj., ka pritur në Shqipëri, kreun komunist të Koresë së Veriut, Kim Ir Sen, si dhe vizitën që ai me një pjesë të udhëheqjes së lartë ka bërë më pas në Korenë e Veriut në atë kohë, gjë të cilat ai i ka publikuar në ditarin e tij.
Prej dy tre ditësh në të gjitha mediat më të njohura të botës po qarkullojnë lajme nga më të ndryshme, lidhur me gjëndjen shëndetësore të diktatorit të Koresë së Veriut, Kim Jong, pasi ende vihet në dyshim nëse ai ka ndërruar jetë, pas një ndërhyrje kirurgjikale që thuhet se i është bërë para pak ditësh, gjë e cila ka bërë që ai të mos shfaqet në publik që prej 12 prillit dhe të mos marrë pjesë në disa aktivitete dhe evente të mëdha që janë zhvilluar në Pehnian ku ai pritej të ishte prezent. Ndërsa të gjitha këto lajme dhe shëndeti i Kim Jong-ut priten të konfirmohen nga mediat kryesore të botës, Memorie.al në këtë shkrim po publikon disa foto të rralla të gjyshit të tij, Kim Ir Sen, gjatë vizitave që ai ka bërë në Tiranë në vitin 1956-të, ku është pritur nga homologu i tij, Enver Hoxha dhe pjesa kryesore e udhëheqjes komuniste shqiptare të asaj kohe, si dhe vizita që ka bërë Enveri në Korenën e Veriut po atë vit me disa nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë të Byrosë Politike, si Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Ramiz Alia etj., gjë të cilat Enveri i ka mbajtur në ditarin e tij që po e publikojm të plotë në këtë shkrim. Pas Republikës Popullore të Kinës së Mao Ce Dunit që ishte aleati më i ngushtë i Shqipërsisë komuniste të Enver Hoxhës, Republika Popullore Demokratike e Koresë së Veriut, ishte një nga vëndet komuniste aziatike me të cilën Tirana zyrtare kishte më shumë lidhje, kryesisht në aspektin ushtarak dhe ambasadat në mes tyre kanë ekzistuar deri në shëmbjen e regjimit komunist në vitin 1991.
Ditari i Enverit për takimet e tij me ish-kreun koreano-verior, Kim Ir Sen, në vitin 1956-të në Shqipëri dhe në Kore
QERSHOR 1956
Arriti në vendin tonë, me ftesë të Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë delegacioni i RDP të Koresë, i kryesuar nga shoku Kim Ir Sen. Në Aeroportin e Tiranës miqtë i pritëm me ceremoni zyrtare. Isha edhe unë. Pas shkëmbimit të përshëndetjeve, u nisëm për në Pallatin e Brigadave. Rrugës nga një makinë e hapur, bashkë me shokun Kim Ir Sen përshëndetëm popullin e Tiranës që i priti miqtë me dashuri. Pasdite, në selinë e Këshillit të Ministrave të RPSH, filluam bisedimet me shokun Kim Ir Sen dhe anëtarët e tjerë të delegacionit. Shkëmbyem mendime për marrëdhëniet midis dy vendeve tona dhe për gjendjen e sotme ndërkombëtare.
VLORE, E SHTUNE
30 QERSHOR 1956
Bashkë me miqtë koreanë erdhëm në Vlorë. Në mitingun që organizoi populli i Vlorës folal për vizitën e delegacionit qeveritar të RDP të Koresë në vendin tonë. Foli edhe shoku Kim Ir Sen.
E DIEL
1 KORRIK 1956
Mora pjesë në pritjen që ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i RDP të Koresë dha në darkë, në hotel «Dajti», me rastin e qëndrimit në vendin tonë të delegacionit qeveritar të RDP të Koresë, të kryesuar nga shoku Kim Ir Sen.
E HENE
2 KORRIK 1956
Sot u largua nga vendi ynë delegacioni qeveritar i RDP të Koresë, i kryesuar nga shoku Kim Ir Sen. Për të përcjellë miqtë shkova edhe unë në Aeroportin e Tiranës së bashku me shokë të tjerë të udhëheqjes së Partisë e të shtetit. Para se të ndaheshim me miqtë koreanë, këmbyem përshëndetje.
E MERKURE
4 KORRIK 1956
Shoku Kim Ir Sen na dërgoi një telegram falënderimi për pritjen e ngrohtë që i bëmë gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Pas këtij, në emër të qeverisë së RDP të Koresë më fton të bëj një vizitë në Kore.
E HENE
27 GUSHT 1956
Pas ftesave zyrtare nga Kina dhe Koreja, edhe qeveria e Republikës Popullore të Mongolisë na fton për një vizitë në Mongoli. Do të shkoj me plot dëshirë.
E MARTE
28 GUSHT 1956
Nesër, në krye të delegacionit të PPSH, do të nisemi për të marrë pjesë në punimet e Kongresit të 8-të të Partisë Komuniste të Kinës. Do të bëjmë, gjithashtu, vizitë në Republikën Demokratike Popullore të Koresë dhe në Republikën Popullore të Mongolisë, ku jemi të ftuar.
PHENIAN E PREMTE
7 SHTATOR 1956
Në aeroportin e Phenianit na pritën shoku Kim Ir Sen dhe të tjerë. Populli dhe shokët e udhëheqjes së Partisë e të shtetit na rezervuan një pritje mjaft të ngrohtë, entuziaste. Kim Ir Seni mbajti një fjalim të shkurtër përshëndetjeje.
PHENIAN, E SHTUNE
8 SHTATOR 1956
Bëmë vizita në kryeqytetin korean.: Vizituam muzeun e luftës, ekspozitën bujqësore, kombinatin e tekstilit etj., etj., ku u takuam me punëtorët që na pritën me dashuri. U fola atyre për përpjekjet dhe vetëmohimin e popullit shqiptar në rrugën e ndërtimit të socializmit. Pasdite u organizua një miting i madh i punonjësve të Phenianit. Kim Ir Seni mbajti një fjalim të shkurtër në të cilin përshëndeti vizitën tonë në Kore, foli për sukseset e popullit shqiptar si dhe të popullit korean. Në mbrëmje kabineti i ministrave i RDP të Koresë shtroi një darkë për nder të delegacionit tonë.
E DIEL
9 SHTATOR 1956
Filluam vizita në pjesët veriore të Republikës Demokratike Popullore të Koresë. Kudo që shkuam në qytete e qendra pune populli na priti me gëzim, me brohoritje, me lule, gonge e me ngrohtësi.
PHENIAN E MERKURE
12 SHTATOR 1956
Pas vizitave në pjesën veriore dhe perëndimore të Koresë, ku populli na priti me dashuri u kthyem në Phenian. Sot patëm bisedime me shokët koreanë në kabinetin e Këshillit të Ministrave. Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte tregimi i Kim Ir Senit për dy anëtarë të Byrosë së tyre Politike, që në plenumin e KQ të Partisë, të mbajtur pas Kongresit të 20-të, kishin atakuar vijën e udhëheqjes dhe unitetin e saj. Kur e pyeta Kim Ir Senin se ç’qëndrim mbajtën ndaj tyre ai m’u përgjigj se plenumi i kritikoi dhe se pas kësaj ata qenkeshin arratisur në Kinë, ku ndodhen edhe sot e kësaj dite me gjithë kërkesën që koreanët i dërguan udhëheqjes kineze për t’i kthyer të arratisurit në atdhe!… Në darkë, për nder të delegacionit tonë u shfaq nga Opera e Phenianit, pjesa koreane «Tregim për vajzën Sim Con». Pas shfaqjes morëm pjesë në pritjen që u organizua në ambasadën tonë në Phenian. Gjatë pritjes unë dhe shoku Kim Ir Sen shkëmbyem fjalime të shkurtra./Memorie.al