E ftuar në emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora ka qenë ekspertja e ISHP, Rovena Daja, e cila ka folur për rritjen e ndjeshme të të prekurve nga koronavirusi. Ajo është shprehur se nëse njerëzit janë trembur dhe alarmuar për këtë rritje të numrit të të infektuarëve, mirë kanë bërë sepse ka vënë re se nuk zbatohen masat dhe kanë filluar t’i harrojnë ato.
Arjola Shehu: Si shpjegohet rritja e numrit të rasteve me COVID-19 në Shqipëri orët e fundit?
Rovena Daja: Në momentet që njerëzit qëndronin larg njëri-tjetrit, të gjitha institucionet ishin të mbyllura, shumë pak njerëz shkonin në punë, kopshtet e çerdhet kanë qenë të mbyllura, pra njerëzit ishin të mbyllur në shtëpi dhe ishte kollaj që të mos përhapeshe virusi.
Në momentin që çdo gjë u hap, bare, restorante normalisht që njerëzit qëndrojnë më shumë pranë njëri-tjetrit. Ne shpresonim që koha e mirë do na ndihmonte dhe shpresoj që në korrik dhe gusht ku temperaturat do jenë shumë të larta, virusi do të shkatërrohet.
Kemi numër të lartë sepse duke qëndruar pranë njerëzve të tjerë për një kohë të gjatë, virusi fillon përhapet. Unë kam vënë re që në çdo vend të botës rastet janë rritur e kjo për shkak të mos respektimit të distancës. Ne duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me koronavirusin.
Sipas burimeve orët e fundit raportohen që numri i personave të infektuar është rritur në mënyrë të frikshme, ku rezultojnë mbi 40 persona të infektuar, por pritet konfirmimi zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë.