Moti me temperatura të ngrohta ka bërë që në Durrës të nisë edhe sezoni i plazhit, më herët sesa zakonisht. Edhe për kosovarët. Nacionale ishte në Durrës në javën e parë të muajit maj, për të parë nëse bregdeti më i vizituar nga kosovarët, ai i Durrësit, ishte i gatshëm për të nisur verën e gjatë. Por, teksa bizneset hoteliere ishin bërë gati dhe të gjitha dyqanet tjera po ashtu, pushuesit e parë kosovarë në këtë sezonë, që zakonisht vijnë në bregdetin e Durrësit për pushime, kanë vërejtur lëvizje të mëdha të çmimeve atje.
Lufta në Ukrainë ka bërë që të ketë ngritje të çmimeve në të gjitha vendet, ndër to edhe në Shqipëri. Madje, para dy muajsh atje u mbajtën protesta kundër këtyre çmimeve. Shqipëria e njohur si ndër vendet më të varfra e me çmimet më të larta.
Nacionale, gjatë bisedës me disa pushues kosovarë, u interesua se si po ndikojnë këto çmime në pushimet e tyre.
Një turiste i tha Nacionales se çmimet e banesave, dhomave, nuk kan shumë dallim nga herët e kaluara, por “një bukë kushton 1 euro.”
“Koha ka qenë shumë e mirë, çmimet në krahasim me vitin e kalum janë më të shtrenjta gjatë kësaj vere. Me 200 euro pension, shumë janë ngritë çmimet edhe sigurisht ngriten ma tepër kur vjen sezona”, shprehet një prej turistëve, pensioniste nga Kosova.
Një tjetër turist, tha se çmimet nëpër restorante gjithashtu janë ngritur. “Në disa vende janë ngritur edhe dyfish”, tha ai.