Ekipin e ri të PD analisti Fatos Lubonja e ka cilësuar si një anije për ujëra të qeta. Sipas Lubonjës, emra si Alfred Rushaj, Jorida Tabaku apo Grida Duma janë njerëz të Bashës dhe më ta lideri demokrat siguron një unitet të pushtetit brenda partisë.
“Kam parë pjesërisht, kryesisht ato emrat kryesorë jo gjithë ndryshimet. Ajo që ka mundësi, ndjesi, ndoshta gabohem se kemi dhe të drejtën e gabimit, se duhet parë në veprim. Po, pashë kryetarin e grupit parlamentar, që është njeri i qetë, Rushaj. Janë vija e parë në parlament. Ndoshta dhe nga ndikimi i njohjes së tij që është njeri i mirë, ka marrëdhënie të mira me të gjithë, mu krijua ndjesia që është një anije për të lundruar në ujëra të qeta. Ndërkohë që anija e opozitës duhet të lundrojë në ujëra shumë të turbullta, të frikshme, do të ketë përplasje, duhet të ketë përplasje të forta. Përplasje të forta jo vetëm institucionale se opozita bën dhe protesta. Ndërkohë Jorida Tabaku dhe Grida Duma janë provuar, janë të Bashës.’’– tha ai.
Lubonja kërkon që Basha të përfshinte në partinë e vet dhe fraksionin e Mark Markut që u largua nga PD ditët e fundit si dhe kundërshtarët e vet për të krijuar një opozitë të fortë.
“Mendoj se duhet të ishte reflektuar diçka dhe s’është reflektuar nga Basha kryesisht, e kam fjalën për ikjen e Mark Markut. Ai kërkonte, si unë ndoshta një parti tjetër më të fortë. Ajo që më shqetëson mua në këtë rast është se duket sikur lideri ka mbledhur njerëzit rreth tij që janë të bashkuar rreth tij për të siguruar unitetin e pushtetit brenda PD, ndërkohë që nga ana tjetër për të bërë atë opozitën që kërkoj unë, duhet më shumë gjithpërfshirje, duhej një opozitë që të pranonte edhe fraksionin e Mark Markut brenda që mos ishte për të eleminuar këtë tjetrin, për të bashkëvepruar, rritur opozitën. Duhet një parti që në vend që të jetë e mbështjellë brenda liderit që vendos për gjithçka, ose hesht për gjithçka, një parti të kishte sa më shumë rryma brenda. Një lumë më i fuqishëm duke thithur përrenj të ndryshëm, grupime. Kjo mungon. Mesa duket ky është dimensioni që i mungon Bashës, do jetë një anije që lundron qetë e Rama nuk shqetësohet.’’– theksoi Lubonja.
Ndërkohë lidhur me largimin e Mark Markut nga partia dhe kritikat e tij, Lubonja thotë se si Basha dhe pedagogu kanë përgjegjësi, por duhet të ishte kryetari i PD që të tregonte karizmë dhe të bënte çmos që ai të mos largohej.
‘’Në gjykimin tim, Basha duhet ta kishte ndaluar duke bërë çmos që të qëndronte. Nuk them se s’ka përgjegjësi, i vë dhe atij përgjegjësi që edhe ai duhet të qëndronte. S’jam brenga tyre. Sikush ka ato emocionet e bindjet e veta. Duke abstraguar nga këto, e para duhet që Basha të tregonte atë karizmën që mund të mbajë rrotull dhe kundërshtarë, por jo kundërshtarë që, a ke karizmë ti mbash. Berisha e kishte në 2005 ata kundërshtarët, ata që i kishte përjashtuar. Ky duket sikur nuk ka kontroll as mbi partinë se Berisha e kishte.’’– tha analisti.
Sa i përket qeverisë së re, Lubonja thotë që pritshmëritë e tij janë të jetë me emra që do të shërbejnë si ‘kukulla’ të Edi Ramës e oligarkëve. Analisti është ndalur edhe tek dorëheqja e Luan Ramës sipas të cilit është një nga hapat e zhdukjes së LSI.
‘’Kjo duhet parë në kontekstin e pastrimit, e zhdukjes së opozitës. Zhdukja e parë është e LSI, që ka mëkatet e veta, se ka qenë pjesë e sistemit dhe nuk ka pasur atë lidhjen e duhur me njerëzit e papërfaqësuar. Rama i ka kapur të gjithë, kështu që ai do ta braktiste partinë. Këtu mban alarmi dhe për PD.
Pres një qeveri e mbushur me kukulla, që tërhiqen nga kukullaxhiu për qëllimet e veta. Kukullaxhiu nuk është vetëm Rama, por gjithë oligarkët, krimi, ata që ndërtojnë këto kullat, etj. Ata do të shërbejnë si fasadë, këtu nuk ka qeveri, debate, ka vendimmarrje të marra nga një person. Nuk më intereson shumë nëse do të ketë figura të reja apo të vjetra, sepse edhe të rinjtë janë si të vjetrit.’’– tha Lubonja.