Janë bërë tashmë pesë ditë që kur Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet për targat me Serbinë. E që pesë ditë, edhe Njësia Speciale e Kosovës po qëndron në pikën kufitare në Jarinje për ta zbatuar vendimin e Qeverisë, ndërsa serbët lokalë kanë vendosur barrikada nëpër rrugë.
Kurse Serbia nuk po lëvizë nga qëndrimi lidhur me çështjen e targave, teksa presidenti Aleksandër Vuçiq, iu përgjigj thirrjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare.
Tash ndër kushtet e vendosura nga Serbia për Kosovën, që të rinisë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është dhe formimi i Asociacionit të Komunave serbe.
Por çfarë mund të ndodhë nëse vazhdon gjendja e tensionuar në veri të Kosovës? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi, sipas të cilit, vendosja e reciprocitetit për targat me Serbinë nga ana e qeverisë Kurti ka shkaktuar një konflikt të ri midis Kosovës dhe Serbisë.
“Duket që Beogradi mezi ka pritur që të ndodhë kjo me qëllim që të tensionojë situatën. Tani të dy palët janë në pozicion të pandryshueshëm. Presidenti i Serbisë ka kërcënuar vazhdimisht Kosovën, ndërkohë që kryeministri i Kosovës ka ruajtur qetësinë e tij. I është shmangur retorikës së egër e hakmarrëse. Thjesht është marrë me sqarimin e shkaqeve dhe të drejtës pse Kosova vendosi reciprocitetin e targave. Gjithkush që ka kokën mbi shpatulla kupton se nuk mund të vijonte praktika e derisotme që Serbia t’i detyrojë qytetarët e Kosovës të ndërrojnë targat e të udhëtojnë në Serbi me targa të përkohshme, ndërsa serbët të udhëtojnë në Kosovë më targat serbe. Kjo praktikë është unike në marrëdhëniet midis vendeve, edhe kur ato nuk e njohin shtetësinë e njëra-tjetrës. Ose udhëton normalisht, ose nuk udhëton fare! Dy rrugë ka. Nëse serbët ndjehen keq të detyrohen të marrin targat e përkohshme të Kosovës, le të mos udhëtojnë për në Kosovë. Kaq e thjeshtë është!”, thotë Bytyçi.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të rezistojë, pavarësisht kërcënimeve të Aleksandër Vuçiqit.
“Por jo. Aleksandër Vuçiq kërkon të ushtrojë presion, të shprehë forcë e dhunë mbi Kosovën, njësoj si dikur Milosheviçi. Qeveria e Kosovës duhet të rezistojë. Thjesht të rezistojë. Nuk duhet të provokojë e as nuk duhet të provokohet. Janë bërë pesë ditë që automjetet e peshave të rënda në pronësi të komunave serbe në veri bllokojnë rrugët. Nga kjo e pësojnë qytetarë të Kosovës e të Serbisë. Ndoshta më shumë ata të Serbisë ose serbët e veriut. Çfarë fiton Vuçiq me këtë? Po sikur qeveria e Kosovës të mos tërhiqet asnjëherë nga vendimi? Çfarë do të bëjë ai? Luftë?! E ka provuar luftën ai! Ka provuar edhe të vrasë 100 myslimanë apo shqiptarë për një serb! Por ka dalë i humbur!”, thekson profesor Bytyçi.
“Nga Hungaria presidenti i Serbisë lëshoi edhe një deklaratë, sipas të cilës “Të gjithë popujve tjerë u njihet vetëvendosja, vetëm serbëve nuk u njihet ajo“! Çdo të thotë me këtë ai? Që 30 mijë serbët e veriut të vendosin të bashkohen me Serbinë?! Kjo logjikë do të çojë që edhe shqiptarët e boshnjakët e Sanxhakut të vetëvendosin e të bashkohen me Kosovën dhe Bosnjës. Edhe hungarezët e Vojvodinës të vetëvendosin e të bashkohen me Hungarinë. Edhe shqiptarët e tri komunave të Luginës të vetëvendosin e të bashkohen me Kosovën! Edhe shqiptarët gati shumicë në Maqedoninë e Veriut të vetëvendosin e të bashkohen me Shqipërinë ose me Kosovën! Ok! Hajde të vetëvendosim. Por Serbia do të jetë e humbur më shumë se çdo vend tjetër!”, shton profesor, doktor Enver Bytyçi.
Më tej, Bytyçi deklaron se Qeveria e Kosovës nuk duhet të tërhiqet, por as nuk duhet të nxitohet që të përdorë mjete dhune.
“Ndërkaq në retorikën e presidentit të Serbisë shpesh herë përmendet se ai i paska përmbushur detyrimet e marrëveshjeve të Brukselit. Por Albin Kurti ia ka paraqit në sy së paku 11 marrëveshje, të cilat Serbia i ka nënshkruar dhe nuk i ka zbatuar! Këto janë fakte, të cilat i njohin në Bruksel. Por nuk mund ta besoj se si ata të Brukselit e lejojnë presidentin e një vendi në bisedime për anëtarësim të gënjejë kaq hapur. Ndërkohë që gënjeshtra e tij shfrytëzohet për riaktivizimin e konfliktit midis dy vendeve në rajon! Ndaj mjeteve që kanë zënë rrugën mund të përdoren mjete tjera për t’i larguar prej aty. Por jo edhe ndaj qytetarëve. Qeveria e Kosovës duhet që më sjelljen e saj të qetë e të matur t’ua bëjë me dije serbëve në veri se ata janë qytetarë të dorës së parë dhe kanë gjithnjë mbrojtjen e institucioneve të Kosovës. Por duhet t’u bëjnë gjithashtu me dije se po i mbrojnë nga keqpërdorimi që atyre ua bën Beogradi dhe qeveria serbe”, shprehet profesor Bytyçi.
Më tej, ai thotë se Kosova duhet t’i bindë ndërkombëtarët se Serbia është ajo e cila po destabilizon rajonin.
“Qeveria e Kosovës duhet të sensibilizojë opinionin ndërkombëtar për deklaratat e udhëheqësve serbë në funksion të destabilizimit të rajonit. Të përkthehen në anglisht të gjitha e t’u dërgohen të gjitha kancelarive të Evropës, SHBA-së e shteteve anëtare të NATO-s. Duhen bindët partnerët e Kosovës se destabilizuesit e Kosovës e të rajonit janë serbët, nuk janë shqiptarët, pse ata kërkojnë një të drejtë reciprociteti me serbët dhe me Serbinë”.
Profesor, doktor Enver Bytyçi paralajmëron Kosovën edhe për infiltrimin e shërbimit sekret rus në Veri të vendit.
“Qeveria e Kosovës duhet të kontrollojë çdo centimetër territor të vendit, sidomos në veri dhe të mos lejojë që të infiltrohen njerëz të shërbimit sekret të Rusisë e të Serbisë në këto ngjarje. Nëse ndodh që këta policë sekretë hyjnë e bashkohen me serbët e veriut, atëherë gjithçka mund të pritet prej tyre. Ne dimë se çfarë bënë shërbimet ruse e serbe në grushtin e shtetit para disa vitesh në Podgoricë në prag zgjedhjesh parlamentare. Në këtë pjesë të Kosovës ata mund të provokojnë luftë”, shprehet Bytyçi.
Për fund, Bytyçi deklaron se Vuçiq e ka interes jetik krijimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë.
“Qeveria e Kosovës duhet të bashkëpunojë ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in për shkak se këto dy forca janë përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë në Kosovë. Bashkëpunimi me to garanton jo vetëm vëzhgimin e situatës dhe parandalimin e provokimeve, por edhe ndonjë konflikt të “vogël” në këtë pjesë të vendit. Presidenti i Serbisë ka interes jetik të provokojë e të ndodh ky lloj konflikti, me qëllim që t’i japë vetes “të drejtën” e krijimit të Asociacionit serb. E di se është vështirë të ruhen ekuilibrat dhe harmonia në perfeksion. Por patriotizmi I policëve dhe përgatitja e tyre profesionale janë parakushte që garantojnë fitoren në këtë duel të imponuar nga Beogradi!”, përfundon Enver Bytyçi.