Analisti Shpëtim Nazarko komentoi rizgjedhjen e Berishës si kryetar të PD-së duke u shprehur se ish-kryeministri i ka qorrollepsur akoma më shumë gjërat brenda selisë blu.
“Besoj që Berisha nuk ka fituar asgjë dhe ka kokolepsur gjërat në PD. Supozojmë që nesër del një vendim gjykate, çfarë do bëjë Berisha?! Ta zëmë edhe kalon edhe këtë edhe nuk pyet për vendim gjykate. Vula do t’i ngelet atij tjetrit. Berisha do shënojë një PDR si Pollo dikur. Janë rrokopuja që ndodhin në 30 vite në Shqipëri dhe janë produkte të një klase politike që nuk kupton. Me këtë akt ka qorrollepsur akoma më shumë PD-në. Bazën dhe militantët i ka, por cilën parti ka?! Kjo që ka bërë Berisha më shumë i intereson PS-së se sa PD-së. Ku do shkojë? Ta zëmë se thotë unë do t’i mund të gjithë, do vete deri në krye, dhe amerikanët do detyrohen të më pranojnë. Do ishte hata e madhe, unë s’e besoj. E ka qorrollepsur PD-në në një hon më të madh. Ngjarjet do zhvillohen si më përpara, por pa një vlerë të veçantë. Pyeta njërin që merret me ligjet, përderisa ju keni shumicën pse sulmoni PD-në? S’ka vlerë tha vendimi i gjykatës sepse është për të legjitimuar një statut. Tani paska vlerë vendimi i gjykatës. Është fundi i partive të tranzicionit në Evropën Lindore, që janë të formatuara në baza militantësh. Situata e mëtejshme do jetë akoma më e turbullt për PD-në e cila duket se s’ka për të gjetur qetësi. Unë s’e di kush e ka PD-në. Nëse do quhet PD konservatore është tjetër gjë. Duhet t’i bindemi vendimeve të gjykatës. Unë s’e di që PD-në e ka Berisha. Më merrni për të çmendur! Në momentin që Apeli vendos pastaj diskutojmë për takticizma. Ta zëmë se Apeli vendos pro Berishës. Por kjo është të fantazosh, kur peshku është ende në det. Me veprimet taktike Berisha është ngatërruar me këmbët e veta dhe nuk i ka prurë asgjë PD-së”, u shpreh ai.
Nazarko tha se taktika e PD-së ka qenë e gabuar në vitet 2015 dhe 2017. Ai tha se selia blu duhet të sqarojë bazën për 160 mijë votat që kanë lëvizur nga PD te LSI.
“Besoj se në zgjedhjet e 25 prillit PD arriti sukses të ndjeshëm. Arriti të shërojë një plagë, që ishin marrëdhëniet e komplikuara me LSI-në. Nëse PD-ja do bëjë çështje serioze këtë gjë, do shkojë në një arsyetim të çështjes. Në PD duhet të pyesin çfarë ka qenë e gabuar. Ka qenë një taktikë e gabuar e PD-së që çoi në humbjen e mbi 100 mijë votave në 2017-ën. Në ditën që në PD do të bëhet analiza për LSI-në, militantët do kuptojnë që drama që është shkaktuar është e një strategjie të gabuar e udhëheqësve të saj. Nëse PD-ja do të sqarojë bazën e vet që ne kemi humbur 160 mijë vota që i ka marrë LSI-ja jemi në rregull”, tha Nazarko.