Peter Piot, ndihmësi i Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbi krizën e koronavirusit, ka deklaruar se pandemia është vetëm në fillimet e saj dhe njerëzimit i mbetet shumë për të luftuar.
“Kemi të konfirmuar 10 milionë raste në të gjithë botën, por mendoj se janë mbi 20 milionë. Shumë shpejt do të kalojmë shifrën e gjysmë milioni viktimash.
Bashkë me HIV dhe gripin spanjoll të 1918, është epidemia dhe kriza sociale më e madhe në kohë paqeje. Jemi në fillim të pandemisë. Sa kohë që do të ketë persona që preken, virusi është shumë i disponueshëm të përhapet sepse ka nevojë për qelizat tona për të mbijetuar”, shprehet virologu belg.
Edhe pse situata duket e qëndrueshme momentalisht në disa vende të Evropës, sipas Piot, duhet të përgatitemi për valën e dytë: “Shpresoj të mos jetë një tsunami, por shpë, rthim vatrash sporadike siç kemi tani.
Duhet të përgatitemi sa më shpejt. Kam shpresë kur shikoj se si vende dhe kompani të ndryshme po bashkëpunojnë për vaksinën dhe ilaçet”.
Në 1976, kur ishte 27 vjeç, Piot bashkëpunoi në zbulimin e ebolës dhe në 40 vitet e fundit ka studiuar disa nga sëmundjet ngjitese më të mëdha të planetit.
Nga viti 1995 deri në vitin 2008 ka drejtuar Programin e Kombeve të Bashkuara për HIV/SIDA. Pavarësisht eksperiencës, edhe virologu veteran ishte i papërgatitur për përballjen direkte me Coronavirus, me të cilin luftoi për 3 muaj.
“Tani jam mirë, por mësova se ky virus është më shumë se një grip. Problemi është se komunikimet zyrtare që dëgjojmë flasin për zbutjen e kurbës së ngjitjes dhe lënë pas dore njeriun, kur në fakt bëhet fjalë për një krizë që ka lidhje me njerëzit.
Problemi i dytë është perceptimi që kanë njerëzit për këtë sëmundje. Nuk është një sëmundje që kalohet lehtë ose në terapi intensive. Shumë njerëz do të mbesin me sëmundje kronike pas Coronavirus”, shpjegoi Peter Piot.
Në fund, Piot tha se pandemia mund të zgjasë me vite sepse vaksina nuk do të jetë e lehtë për t’u arritur: “Nëse nuk do të ketë vaksinë, do të thotë se do të bashkëjetojmë me virusin për vite me radhë”.