Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Anton Quni, ka thënë se ka një dakordim mes partnerëve të koalicionit për të filluar shërbimin ushtarak.
“Shërbimi ushtarak ka qenë pjesë e programit qeverisës mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Edhe në qeverisjen e tanishme ka një dakordim mes LDK-së dhe partnerëve qeverisës se duhet të ketë shërbim ushtarak. Që të gjithë janë dakord që të ketë një shërbim ushtarak obligativ tre mujorë”, tha ai.
Quni thotë se edhe personalisht e mbështet fuqishëm shërbimin ushtarak për të rinjtë e Kosovës.
“Ky shërbim është i mirë për sigurinë e Kosovës, rininë e Kosovës që të kalojnë këtë fazë të rekrutimit dhe të marrin njohuri shtesë jashtë programit arsimorë që ne e kemi sot në shkollat tona”.
Ministri i Mbrojtjes thotë se janë në fazat fillestare të këtij projekti dhe sipas tij duhet koordinim shumë i madh ndërmjet ministrive.
“Duhet të ketë një koordinim edhe me komunat pasi mund të ketë efekt edhe te to nëse kemi të bëjmë me numër të madh”.
Quni thotë se po mendohet që shërbimi ushtarak do të fillojë nga mosha 18 vjeçare.