Do të ishte zhgënjyese nëse Bullgaria e mbyll perspektivën dhe derën e Republikës së Maqedonisë në rrugën e saj drejt BE-së, tha në “Klik Plus”, gazetari dhe analist bullgar, Nikollaj Krasnev. Në emisionin, ku temë debati ishte – A do të ketë sukses bllokada e Bullgarisë ndaj eurointegrimeve të Maqedonisë, Krasnev me qëndrim se në historitë e të dyja vendeve ende ka gjëra që duhet sqaruar.
“Shikoni historinë e Bullgarisë dhe Maqedonisë, më vonë Republikës së Maqedonisë, e më vonë edhe Maqedonisë së Veriut ende ka gjëra që vështirë mund të kuptohen. Thjesht duhet të lëmë pak kohë që shoqëritë të piqen. Duhet kuptuar cili është qëllimi ynë. Evropa – atje na presin”, theksoi Nikollaj Krasnev – Gazetar dhe analist bullgar.
Por, ministri i Mbrojtjes së Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov, në intervistë për një radio bullgare, e përsëriti qëndrimin – se vendi ynë duhet t’i përmbahet marrëveshjes së nënshkruar para 3 vjetëve. Në plotë kuptimin e fjalës ata dje refuzuan të punojnë në Komisionin e përbashkët, tha Karakaçanovi.
“Nëse është e nevojshme do t’ua dërgojmë regjimentin inxhinierik për t’i hequr të gjitha përmendoret të cilat nuk kanë të bëjnë me faktet historike”, potencoi Krasimir Karakaçanov – Ministër i Mbrojtjes së Bullgarisë.
Bullgaria nuk do të donte të jetë pengesë për ardhmërinë evropiane, ishte mesazhi i kryeministrit bullgar, Bojko Borisov, të cilin në vendin tonë e përcolli ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Në emisionin “Klik Plus” të TV21, në pyetjen – nga çfarë varet nëse Bullgaria në nëntor do të japë dritë jeshile për anëtarësimin në BE, Osmani me përgjigje:
“Ka mundësi që të lehtësohen brengat e Republikës së Bullgarisë lidhur me çështje të caktuara. Për këtë do të bisedojmë në komunikimin bilateral mes të dyja vendeve, për të parë nëse mjafton kjo hapësirë për të kaluar në fazën e dytë dhe për të vazhduar me komunikimin”, deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.
Ministri theksoi se pikërisht për shkak të komunikimit të dobësuar, Bullgaria mendon se ne nuk duam të shkojmë drejt procesit të eurointegrimit. Lidhur me atë nëse alfabeti cirilik do të votohet si alfabet bullgar në Parlamentin e Bullgarisë, Osmani shprehet se nuk beson se kjo iniciativë do t’i kalojë filtrat parlamentarë të vendit fqinj. Eurodeputeti nga Bullgaria, Atanas Kovaçev, nuk kishte përgjigje në pyetjen – pse festën e 11 Tetorit në Maqedoni e sheh si provokim?
“Më vjen shumë keq që doni të provokoni për të thënë se ne jemi në anën e fashizmit. Jam shumë i zhgënjyer se kjo është detyra juaj”, thekson Andrej Kovaçev – Eurodeputet nga Bullgaria.
“Nuk është e vërtetë se Bullgaria ka kërkuar ndryshim të Kushtetutës së Maqedonisë”, tha mes të tjerësh shefi i diplomacisë, Osmani, duke shtuar se ky informacion vjen nga radhët e opozitës, kurse pushteti është i gatshëm në çdo kohë të komunikojë me të. Javën që e lamë pas, u mblodh Komisioni i përbashkët i Maqedonisë dhe Bullgarisë, por ende nuk është arritur marrëveshje lidhur me atë nëse Goce Dellçevi ka qenë maqedonas apo bullgar.