Kandidati me numrin 7 i “Aleancës për Ndryshim”, Fatmir Mediu ka akuzuar qeverinë se në këto 8 vite ka shkatërruar ekonominë e vendit. Ditën e djeshme ai zhvilloi disa takime me banorë të Paskuqanit dhe zonës së Bulevardit të Ri, në Tiranë nga ku kërkoi mbështetjen e tij për nr. 7 dhe për koalicionin “PD-AN”. Mediu, akuzoi Ramën se ka shkatërruar në këto 8 vjet çdo mundësi për të zhvilluar ekonominë e vendit.
“25 prilli është një moment reflektimi dhe vlerësimi i përbashkët për t`u dhënë fund klaneve korruptive, ku paratë e taksapaguesve shqiptarë shkojnë në duart e Edi Ramës dhe njerëzve afër tij. Sot janë me qindra, me mijëra biznese që falimentojnë. Edi Rama ka shkatërruar në këto 8 vjet çdo mundësi për të zhvilluar ekonominë e vendit tonë”, tha ai.
Ndër të tjera, ai u shpreh se në vend një nga problemet kryesore është papunësia tek të rinjtë. Ai theksoi se taksat e shqiptarëve janë vjedh nga qeveria dhe nuk kanë shkuar në shërbim të këtyre të fundit.
“Në çdo 5 të rinj, 3 janë të papunë. Pra çdo gjë që lidhet me jetën tonë dhe me qeverinë, ne shikojmë vetëm pamundësi, pabarazi dhe në një kohë kur shoqëria varfërohet, Edi Rama dhe klani i tij vetëm pasurohen dhe pasurohen me taksat e shqiptarëve. Edi Rama as ka dashur dhe as do të japë llogari, që taksat dhe paratë e shqiptarëve kanë shkuar thjesht në xhepat korruptive të pushtetit, interesave të tij korruptive dhe kriminale”, tha Mediu.
Ndërkohë edhe kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka ka akuzuar qeverinë për keqqeverisje. Me anë të një postimi në rrjetet sociale teksa ka komentuar ftesën e Ramës ndaj Bashës thotë se ftesa e kryeministrit është një ftesë për mbijetesë personale. Duka thekson se kjo është një papërgjegjshmëri përballë papunësisë, varfërisë dhe ngecjes disa vjeçare në procesin e integrimin europian.
“Rama edhe e fton dhe e përçmon Bashën. Kjo ftesë nuk është për të shpëtuar Shqipërinë, por Ramën dhe oligarkinë. Kjo është papërgjegjshmëri përballë papunësisë, varfërisë dhe ngecjes disa vjeçare në procesin e integrimin evropian. Thirrja “Rama ik” nuk është një parullë politike, por një thirrje që buron nga shpirti i çdo të papuni, të varfëri, të çdo individi dhe biznesi që vuan nga keqqeverisja”, tha ai.