Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim online me përfaqësuesit e komuniteteve fetare. Takimi ka ardhur pasi komunitetet e kanë cilësuar diskriminues termin “grumbullime fetare”, ku qeveria ndaloi vajtjen e qytetarëve në Xhami apo Kisha.
Kryeministri ka njoftuar sot të gjithë komunitetin e besimtarëve në Shqipëri se më 18 maj do të nisin masat lehtësuese për klerin.
“Ajo që keni bërë është fantastike ndihma që keni dhënë është e pacmuar. Keni përcjellë një mesazh shumë të qartë për popullin shqiptar. Sa i përket shqetësimit tuaj, unë bashkohem me ju që në kuadër të masave për lehtësimin e ndërveprimeve dhe jetës së përditshme sociale është e nevojshme të adresojmë edhe situatën aspak të lehtë që kjo luftë ka krijuar mbi komunitetet tuaja dhe të lehtësojmë pengesat e mëdha në ushtrimin e aktiviteteve tuaja. Kjo është një gjë që duhet bërë në mënyrë graduale.
Kjo kërkon një bashkëbisedim me ju se praktikat janë të ndryshme nga komuniteti në komunitet. Ndryshe nga aktivitetet e tjera të biznesit në rastin e komuniteteve fetare duhet bërë bashkarishit. Nga sot apo nesër ju duhet të jeni disponibël për tu vendosur në kontakt me personat që hartojnë masat lehtësuese, për të pasur një konsultim konkret, se si mund të hartohet një kalendar gradual deri në normalizimin e plotë. Nëse do hartojmë një kalendar të arsyeshëm, besoj që më 18 maj kur do të jetë konfiguruar gjithë projekti i fazës së dytë të mund të japim edhe disa indikacione konkrete për institucionet fetare”, u shpreh Rama.