Dita e nesërme, 11 maj, shënon lehtësimet e reja të vendosura nga qeveria dhe hapjen graduale të bizneseve që janë mbyllur si pasojë e koronavirusit. Nga nesër vendit i shtohen edhe 14 zona të reja të gjelbra, konkretisht Lushnje, Patos, Roskovec, Korçë, Has, Kukës, Lezhë, Mirditë, Fushë-Arrëz, Malësi e Madhe, Pukë, Vau Dejës, Kavajë dhe Vorë me të njëjtat rregulla.
Në këto zona lejohet qarkullimi ndërqytetës brenda zonave të gjelbra me automjet privat duke lejuar udhëtimin e më shumë se dy personave të së njëjtës familje.
Gjithashtu në këto zona ka dhe një zgjatje të fashës së orarit për të lëvizur nga ora 05:00-21:00.
Nga data 11 maji do të hapen edhe blloku i tretë i bizneseve duke lejuar që të ushtrojnë aktivitetin e tyre sipas protokolleve strikte të sigurisë, klinikat dentare, parukeri, berber dhe dyqanet në qendrat tregtare.
Një tjetër ndryshim është edhe me karantimin e të riatdhesuarve, ku nuk do të ketë më hotele karantinë, por të gjithë shqiptarët e ardhur në vendin tonë do të karantinohen në banesat e tyre.
Po çfarë nuk lejohet ende? Në lidhje me grumbullimet mbeten në fuqi rregullat se nuk lejohen qëndrimi me më shumë se 5 veta, aktivitetet kulturore dhe sportive të çdo lloji dhe transporti publik si dhe njësitë ekonomike ende të mbyllura.
Gjithashtu përjashtim bëjnë dhe 6 bashkitë e vendit, Tiranë, Durrës, Shkodër, Kurbin, Krujë dhe Fier, që do të vijojë i njëjti regjim oraresh dhe rregullash të qarkullimit si deri tani. Këto zona do të blindohen me postblloqe dhe nuk do të lejohet hyrje-dalja e automjeteve të paautorizuara nga zona e gjelbër te e kuqja dhe e kundërta.
Çfarë lejohet nga 11 maji
-Shtohen 14 zona të gjelbra
-Hapen parukeritë, berberët, klinikat dentare dhe dyqanet në qendrat tregtare
-Në zonat e gjelbra shtohet fasha e orarit nga ora 05:00-21:00
-Të riatdhesuarit karantinohen të gjithë në banesat e tyre
Çfarë nuk lejohet ende pas 11 majit
-Blindohen me postblloqe 6 zonat e kuqe
-Nuk lejohen kalimi nga zona e kuqe në atë të gjelbër
-Nuk lejohen grumbullimet
-Janë të ndaluara aktivitetet sportive e kulturore
-Nuk lejohet transporti publik
-Nuk lejohet hapja e aktiviteteve që nuk janë të përcaktuara në listën e 11 majit