Majlinda Bregu, e cila dikur ka qenë funksionare e lartë e partisë Demokratike, sot shprehet se nuk e gjen veten as në listat e anëtarësisë së selisë blu. Majlinda Bregu gjatë një interviste për Vizion Plus, rrëfeu një detaj të rëndësishëm.
Teksa u pyet sesi e komenton ajo rizgjedhjen e Bashës në krye të PD, në cilësinë e anëtares së PD, Majlinda Bregu tha se nuk e ka parë veten në asnjë vend si anëtarë e kësaj force politike në zgjedhjet e fundit për kryetar. Ajo shtoi për këtë “zhdukje” të emrit të saj nga listat e anëtarësisë, se nuk duhet pyetur ajo por zyrtaret e selisë blu.
“Nuk ka çfarë të mendoj më asgjë për situate të cilat i kam pasur të qarta edhe vite më parë. Por bën mirë që ta bësh këtë pyetje edhe në PD, sepse unë nuk e kam parë veten në asnjë vend si anëtare e PD, as për të votuar. Madje në fushatën zgjedhore më rezultonte që edhe në seksionet e PD nuk figuroja më si njeri i Partisë Demokratike. Kështu që më mirë pyet në PD se ku e kanë listën e anëtarësisë dhe ku i kanë anëtarët”, – tha Bregu.
Majlinda Bregu prej tre vitesh mban postin e drejtueses së Këshillit të bashkëpunimit rajonal. Përpara se të merrte këtë post të rëndësishëm, ajo ishte një prej zërave të shumtë kritike brenda PD-së, kundrejt kryetarit Basha.