Bashkimi Evropian (BE) do të sigurojë 80 milionë euro mbështetje makro-financiare për Maqedoninë e Veriut për shkak të pandemisë së Covid-19. Komisioni Evropian njoftoi se është nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për të siguruar mbështetje financiare për Maqedoninë e Veriut.
Këto fonde do të jenë në dispozicion në formën e kredive afatgjata me kushte shumë të favorshme.
“Fondet do të kontribuojnë në përmirësimin e stabilitetit makroekonomik dhe krijimin e hapësirës për shpërndarjen e burimeve për t’i zbutur pasojat serioze negative socio-ekonomike të pandemisë së koronavirusit”, informon KE.
Programi për Maqedoninë e Veriut është me vlerë prej 160 milion eurove.
“Sot nënshkruam një Memorandum për mirëkuptim me Maqedoninë e Veriut, duke e hapur rrugën për pagesën e ndihmës financiare prej 80 milion eurosh”, theksoi Komisionari i Ekonomisë, Paolo Xhentiloni.
Në njoftim thuhet se mbështetja makro-financiare prej 80 milionë eurosh do të ofrohet për Maqedoninë e Veriut në mënyrë që të kufizojë efektet ekonomike të pandemisë.
BE-ja siguron mbështetje makro-financiare për vendet e afërta në kohë krizash ekonomike. Për këtë mbështetje, nevojitet plotësimi i disa kushteve. Ndihma financiare e BE-së përmban kushte shumë më të favorshme të ripagimit në krahasim me kreditë që këto vende në rrethana normale mund të marrin nga tregjet.
Vendimi për të ofruar ndihmë makro-financiare për dhjetë vendet në kontekstin e ballafaqimit me pandeminë Covid-19 u propozua nga Komisioni më 22 prill dhe u miratua nga ligjvënësit më 25 maj të vitit 2020.