Luan Rama ka marrë vendimin zyrtar ditën e sotme, me anë të një postimi të gjatë në rrjetet sociale ka bërë me dije se ka hequr dorë nga të gjitha funksionet politike që mbante në LSI.
Luan Rama shkruan se ky vendim ka ardhur pas humbjes në zgjedhje.
Postimi i plotë:
“Humba në zgjedhje, largohem
nga të gjitha funksionet në LSI.
DREJTUESI MBAN PËRGJEGJËSI
EDHE KUR NUK ËSHTË PËRGJEGJËS
Pa asnjë mëdyshje, me bindje dhe shumë ndershmërisht, në përputhje të plotë me parimet dhe kodin tim moral dhe politik sipas të cilit, drejtuesi mban përgjegjësi edhe kur nuk është përgjegjës, kam vendosur të ndërpres angazhimin tim prej të gjithë funksioneve dhe përgjegjësive partiake të përfaqësimit në strukturat dhe forumet drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke marrë në këtë mënyrë përgjegjësitë që më takojnë për humbjen e LSI-së në qarkun e Vlorës.
Rezultati i zgjedhjeve që LSI arriti në qarkun e Vlorës, është nën nivelin e mundësive reale të votuesve që LSI ka në atë qark. Është rezultat i papërligjur politikisht, larg pritshmërive dhe objektivave të përcaktuar.
Për rrjedhojë, pavarësisht rrethanave specifike dhe paradoksalisht penguese prej faktorësh jashtëpolitike që u krijuan në Vlorë, unë nuk mund të justifikohem, edhe pse u përpoqa të punoj ndershmërisht dhe me shumë përkushtim me të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e LSI-së në qarkun e Vlorës.
Nga sa na jep mundësi të lexojmë sot rezultati që përfundimisht është fiksuar në dokumentat zgjedhore, nuk mjaftoi puna që bëmë.
Nuk mjaftoi as kontributi dhe e gjithë përvoja ime politike e tridhjetë viteve.
Nuk mjaftuan as përpjekjet e mia për të krijuar kohezionin e domosdoshëm shpirtëror në kësi rastesh, duke u ngritur mbi pengesat, intrigat dhe shpifjet e gjithëfarëllojshme, që LSI të arrinte rezultatin që meritonte.
Me sa duket, kultura dhe etika e komunikimit publik, thjeshtësia dhe sinqeriteti në marrëdhënit brenda partisë dhe të partisë me qytetarët, qytetaria dhe fryma e tolerancës, nuk mjaftuan që unë dhe LSI të votoheshim për ta përfaqësuar Vlorën në Kuvendin e Shqipërisë.
Vendimi im për të ndërprerë angazhimin prej të gjitha funksioneve dhe përgjegjësive partiake të përfaqësimit në strukturat dhe forumet drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim, është në koherencë edhe me frymën dhe përmbajtjen e Programit Politik dhe të Statutit të LSI-së, e cila duke qenë forcë përfaqësuese e rinisë kryesisht, por edhe e më të rriturve me mendësi, mentalitet dhe vizion të ri, duhet të ofrojë modele sjelljesh dhe qasjesh politike që motivohen nga interesi i vendit para atij të partisë në rradhë të parë, dhe nga interesi i partisë para atij të individit më tej.
Sot, 13 vjet pasi unë u bashkova me familjen e madhe me emrin Lëvizja Socialiste për Integrim, kam gjithë të drejtën të ndjehem i lumtur që kam qenë njëri nga pjestarët e kësaj familje, e cila ka luajtur rol të rëndësishëm dhe shpeshherë përcaktues në historinë politike dhe qeverisëse në Shqipëri, ashtu sikundër ndjehem krenar që emri im asnjëherë dhe për asnjë rast të vetëm, nuk i ka krijuar asnjë kosto dhe asnjë problem LSI-së.
Askush, kurrkund dhe në asnjë rast nuk e ka përdorur dot emrin tim për të përgojuar, për të goditur apo për të përbaltur LSI-në.
Me angazhimin, kontributin, perpjekjen dhe fjalën time modeste, por gjithnjë me zemër, me qytetari dhe pa asnjë hezitim e mëdyshje, jam munduar t’ia shpërblej LSI-së gjithë besimin që më ka dhënë, duke qenë një përfaqësues i denjë i saj, gjithkund ku më është dashur të jem i pranishëm, në forumet e partisë apo në Kuvend, në takimet me qytetarë apo në mediumet intelektuale, brenda apo jashtë vendit.
Kam patur nderim dhe përgjegjësinë, por edhe kam qenë i privilegjuar të ushtroj detyra të larta në forumet drejtuese të LSI-së, si dhe ta përfaqësoj atë në dy legjislatura si deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Ndaj, sot e ndjej gjithashtu për detyrim moral dhe qytetar të falenderoj edhe publikisht ish kryetarin Ilir Meta për besimin dhe mbështetjen që më ka dhënë prej ditës time të parë në LSI e deri në zgjedhjet e vitit 2017, ashtu sikundër shpreh mirënjohje dhe respekt për kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila më besoi detyrën e zëvendëskryetarit të partisë dhe punuam sëbashku përgjatë një kohe shumë të vështirë.
Nuk mund të mos falenderoj edhe të gjithë ish kolegët deputetë të LSI-së në të dy legjislaturat, anëtarët e kryesisë dhe të KDK-së dhe të gjithë ata anëtarë të LSI-së dhe LRI-në në të gjithë Shqipërinë, me të cilët më lidhi puna nga Tropoja deri në Konispol, pasi ata ishin frymëzimi dhe guximi për gjithë angazhimet e mia si njëri nga përfaqësuesit e zgjedhur për të drejtuar Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Më duhet t’i veçoj në mirënjohjen time në këto rradhë, anëtarët, simpatizantët dhe të gjithë votuesit e LSI-së në qarkun e Vlorës që më pranuan, që më mbështetën, që më mësuan dhe më ndihmuan pa asnjë rezervë duke m’u bërë krah gjithkund e për çdo gjë, pavarësisht se nuk ia dolëm të fitonim në zgjedhje.
Unë atyre ua kam thënë me shumë seriozitet që në takimin tonë të parë, se nga rezultati i LSI-së në Vlorë do të kushtëzohej dhe përcaktohej edhe angazhimi im i mëtejmë në strukturat drejtuese të LSI-së.
Në shenjë respekti dhe vlerësimi për të gjithë ata, puna e të cilëve ka si komponente të parë mbajtjen e fjalës së dhënë, e gjej veten në legjitimitet të plotë moral, politik dhe qytetar edhe përpara tyre me vendimin që po shpall, duke i siguruar ata dhe votuesit e LSI-së në të gjithë vendin, se ky vendim nuk është akt ikjeje nga LSI dhe as braktisje e saj.
Aq më pak nuk është shitje e blerje. Nuk është tradhëti.
Gjithnjë vjen një kohë kur veçanërisht në angazhimet partiake dhe politike rrethanat, kushtet dhe foktorë të shumtë të imponojnë ndërmarrjen e vendimeve të vështirë.
Unë u gjenda pa dëshirën time përballë kësaj sfide, por me shumë kthjelltësi zgjodha një nga vendimet më të vështirë që më është dashur të ndërmarr ndonjëherë në të gjithë karrierën time politike, i bindur se është ndërkaq vendimi i duhur, vendimi më e drejtë.
Unë do të vazhdoj të jem kontributor dhe votues i LSI-së, për aq kohë sa LSI do të jetë forcë që gjeneron energji dhe ide e që bashkon rreth saj të rinj e të reja, progresistë dhe eurosocialistë, për sa kohë që LSI do të jetë forcë që ofron kontribute për integrimin euroatlantik të Shqipërisë.” – shkruan Rama.