Koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM-ja me 46 mandate të fituara ka kapacitetin më të madh koalicionues, përderisa nga OBRM-PDUKM-ja të cilët kanë 44 mandate besojnë se kanë besimin më të madh që të luftojnë për përbërjen e Qeverisë së re, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik të këtij viti.
Në përbërjen e re kuvendore LSDM-ja dhe OBRM-PDUKM-ja do të kenë më pak deputetë se deri më tani, përderisa BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët do ta rrisin përfaqësimin e tyre, ndërsa “E majta” me dy deputetë hyn për herë të parë në Kuvend.
Sipas rezultateve finale jozyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Bashkimi Demokratike për Integrim (BDI) fitoi 15 mandate, Aleanca për Shqiptarët – 12, “E majta” dy mandate dhe PDSH-ja një mandat.
Koalicioni i kryesuar nga LSDM-ja “Mundemi” është fitues në një numër të madh të komunave dhe ka kapacitet më të madh koalicinues, me çka është e sigurt se lideri Zoran Zaev do të jetë mandatari i ri dhe i pari do ta ketë mundësinë që të përbëjë shumicën parlamentare, informojnë nga qendra analitike e LSDM-së.
Për atë se vallë LSDM do të koalicionoj me BDI-në për formimin e shumicës parlamentare dhe për Qeveri, Oliver Spasovski dje deklaroi se është çështje e vlerësimeve dhe marrëveshjeve politike.
“Unë vetëm mund të them se gjithçka që nevojitet të bëhet për të mirën e shtetit dhe qytetarëve të bëhet në periudhën e ardhshme. Të tregojmë përgjegjësi edhe më të madhe dhe se interesi i qytetarëve dhe shtetit është në plan të parë”, ka thënë Spasovski në konferencën për shtyp ku dha vlerësim për zgjedhjet e parakohshme, ndërsa dha edhe pritshmëri se së shpejti do të formohet Kuvendi i ri dhe Qeveria e re.
Lideri i OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoski dje në konferencën e parë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare theksoi se partia opozitare e ka besimin më të madh që të luftojë për përbërjen e Qeverisë së re, sipas të cilit OBRM-PDUKM, ka më shumë vota se LSDM-ja, pa Besën, me të cilën është në koalicion.
“Është me rëndësi që në Maqedoni disponimi është opozitar, ndërsa rezultatet tregojnë se opozita fitoi më shumë vota se pushteti, ndërsa OBRM-PDUKM-ja, pa Lëvizjen Besa në radhët e LSDM-së fitoi më shumë mandate të deputetëve”, tha Mickoski, duke u shprehur i gatshëm që të negocioj për formimin e Qeverisë së re.
Ai nuk deshi të tregoj se a ka biseduar me ndonjë nga liderët e partive të bllokut shqiptar, ndërsa në lidhje me propozimin e liderit të LSDM-së Zoran Zaev për mbështetje të ndërsjellë me deputetë për formim eventual të qeveris, potencoi se nuk ka për qëllim ta bëjë këtë.
Lideri i partisë “E majta” Dimitar Apasiev, e cila fitoi dy deputetë për herë të parë hyn në Parlament, tha se deri më tani nuk kanë kontakte me parti politike për koalicionime, por edhe se pret që të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Besojmë se do të ketë zgjedhje të ardhshme parlamentare të parakohshme, sepse kjo është fitore e Pirros. Kushdo që do të formojë qeveri nuk do të mund ta mbajë deri në fund. Në zgjedhjet e ardhshme E majta do të hyjë me numër dyshifror të deputetëve”, tha lideri i kësaj partie.
Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Besa, Arianit Hoxha, shfaqi bindje se mandati i LSDM-së dhe Lëvizjes Besa do të jetë mandat qeveritar në katër vitet e ardhshme.
“Ndonjëherë nuk janë me rëndësi numra dhe fitorja, por e rëndësishme është që të jesh në anën e duhur, pra Lëvizja BESA në këto zgjedhje i ka edhe numrat, edhe fitoren dhe është rreshtuar aty ku duan shumica e qytetarëve të vendit, pra në opsionin i cili garanton rrugën e integrimit në BE, zhvillimit ekonomik dhe ndërtimin e shtetit të barabartë për të gjithë, mbi bazën e partneritetit mes shqiptarëve, maqedonasve dhe gjitha bashkësive tjera etnike”, tha Hoxha.
Në pyetjen e gazetarëve lidhur me këtë cila parti nga blloku shqiptar do të jetë më e pranueshme për partnerin e koalicionit, Hoxha tha se presin ta shohin rezultatin përfundimtar dhe në bazë të kësaj do të merren vendime.
“Presim të përfundojë numërimi i votave. Në këtë moment nuk duam të paragjykojmë. Mbesim në atë ta shohim rezultatin përfundimtar dhe në bazë të kësaj do të marrim edhe vendime”, tha Hoxha.
Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela kërkoi nga KSHZ-ja të zbardhen dyshimet dhe rezultatet sa më shpejtë të jetë e mundur.
“Shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për lojërat që po bëhen me mosshpalljen e rezultateve të zgjedhjeve. Vonesat e tepruara na ngjallin dyshime për manipulim të mundshëm të procesit zgjedhor dhe rezultatit final. Ka shumë informata nga terreni që nuk përputhen me rezultatet e nxjerra nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ka shumë rezultate të dyshimta në shumë vendvotime.
Ka pasur tentime serioze, por edhe veprime që për qëllim kanë pasur tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve”, u shpreh ai.
Ndërsa zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, përmes Facebook-ut publikoi disa matematika zgjedhore, duke aluduar se BDI-ja me 15 deputetë është fitues i sigurt te votuesit shqiptarë.
Osmani, në matematikën e tij i barazon në 46 vota LSDM -Besa 46 (42+4) dhe OBRM-PDUKM-E majta 46 (44+2), përderisa koalicionin e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës e ndan në Aleanca -8, ndërsa Alternativa – 4 deputetë.
Ndryshe, theksojmë që njëzetë ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve, presidenti i shtetit në afat prej dhjetë ditëve duhet t’ia besojë mandatin për përbërjen e Qeverisë kandidatit të partisë, gjegjësisht partive që kanë shumicën në Kuvend.
Mandatari në afat prej 20 ditëve pasi i jepet mandati, Kuvendit i dorëzon program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë.