Pas paralajmërimeve nga ambasadorja Yuri Kim për institucionet e reja të drejtësisë, avokati Spartak Ngjela shprehet se nëse BKH-ja do të krijohet deri në vjeshtë, asnjë nga politikanët aktualë nuk do të jenë kandidatë në zgjedhjet e vitit 2021.
Por kush do ta drejtojë vendin nëse do të largohen këto dy grupe politike, sipas avokatit?
“Vakumi do të ndërtohet nga influenca perëndimore. Ne kërkojmë të shkojmë në BE dhe reformën antikorrupsion e kërkon Brukseli. Por unë mendoj se aktualisht nuk mund të flasim për emra, por për frymë. Fryma e politikës së sotme shqiptare është dekadente dhe duhet ndërruar.
Problemi është shumë i thjeshtë, ne duhet të presim reformën. Ata që do të vijnë do të jenë nga bota akademike dhe sidomos nga shqiptarë të iluminuar në perëndim dhe që janë në pozicione të rëndësishme sot në perëndim. Mos mendoni se nuk ka filluar ingranimi i tyre në politikën e re që do të vijë në Shqipëri. Kam të dhëna që janë të kontaktuar. Ne kemi këtë shpresë, atë të një reforme absolute antikorrupsion”. – tha Ngjela.