Kryeministri shqiptar Edi Rama, njëkohësisht ministër i Jashtëm, njoftoi sot se ka rënë dakord me qeverinë greke, që çështja e kufijve detarë me Greqinë të shqyrtohet nga ndërkombëtarët dhe të jenë ata që të vendosin për fatin e këtyre kufijve.
Kjo zgjidhje la të kënaqur grekët. Si në media, dhe në deklarata shtetërore, ata e cilësuan si një zgjidhje optimale.
Disa media greke shkuan më larg orët e fundit duke e cilësuar këtë marrëveshje mes Tiranë dhe Athinës si zgjidhje ideale për Greqinë, duke shprehur bindje se ajo do të marrë atë që iu dha në vitin 2009 nga qeveria e Sali Berishës.
Kështu, qartësohet edhe se në gjykatën ndërkombëtare të Hagës, do të shkojë për shqyrtim dhe vendimmarrje, pikërisht plani i 11 viteve më parë për ndarjen e kufijve detarë. Një plan të cilin Edi Rama atëherë në opozitë, e sulmoi dhe e denoncoi në gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit e hodhi poshtë marrëveshjen.
Tani, të paktën nga pala greke, kjo marrëveshje do të jetë karta kryesore që ajo do të tundë në Hagë. Ajo do të kërkojë të marrë atë zonë që dukshëm favorizon Greqinë duke i dhënë kontrollin mbi një sipërfaqe e cila në thellësi bart rezerva të mëdha natyrore. Dhe është e qartë që Greqi nuk do të kursehet në Hagë për t’ia dalë.
Duke qenë se do të jenë ndërkombëtarët ata që do të vendosin për fatin e kufijve tanë, shtrohet pyetja: A mund ta kemi harruar ne shqiptarët vitin 1913 dhe si na copëtuar atëherë ndërkombëtarët?
Publicistja e njohur Brizida Gjikondi, thotë se një kryeministri të një shteti si Shqipëria nuk i falet të delegojë përcaktimin e kufijve tek ndërkombëtarët.
Ajo apelon: “Zoti Kryeministër, ndërkombëtarë të superlegjitimuar ishin dhe ata të Kongresit të Berlinit dhe të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, por na shqyen dhe na copëtuan.
Ty nuk të falet të mbash këtë ligjërim dhe të mos kesh nxjerrë mësime nga historia.
Njohim të shkuarën, njohim pushtetin-lobingjet-influencën dhe intrigat e Greqisë, e cila përherë ndërkombtarët që ju i referoheni i ka patur në krah të saj.
Kufijtë e tyre shqiptarët më në fund i vendosin për së pari vetë, si popull dhe në shekuj.”, thotë Gjikondi.
Ajo ka një pyetje direkte për kryeministrin: “Vallë, përse ky nxitim kufijsh kur ju ligjëroni për Shengena ballkanikë.. pa kufij dhe pa dogana”?!