Ish-kryeministri Sali Berisha dorëzoi mbrëmjen e djeshme në zyrën e kreut të Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka dosjen sipas tij me 4200 formularë të delegatëve të Kuvendit Kombëtar duke kërkuar mbledhjen e këtij institucioni.
Por sapo Berisha dorëzoi dosjen nisi debati për procedurën. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi tha se firmat duhet të kalonin nga institucioni që ai drejton duke vendosur në dyshim vërtetësinë e tyre. Por avokat Spartak Ngjela shprehet se nëse firmat janë të falsifikuara, atëherë Lulzim Basha duhet ta dërgojë Sali Berishën në SPAK.
“Berisha deklaroi se i mblodhi firmat e nevojshme për të mbledhur Kuvendin Kombëtar. Por janë të shumtë ata në PD që thonë se gjithçka është fals.
Po ku janë firmat dhe emrat e firmëtarëve, do të bëhen ato publike? Falsifikimi i firmave të këtij procesi është vepër penale. E di Berisha këtë?
Atëherë…Po Basha, si kryetar partie, a do ta denoncojë në SPAK këtë vepër penale? Të shohim” shkuan Ngjela.
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, sipas kërkesës së Sali Berishës nga pozitat e anëtarit të Këshillit Kombëtar, do të mblidhet të shtunën e 11 Dhjetorit.
Organizatorët kanë parashikuar të realizojnë në këtë Kuvend ndryshime statutore që do t’i hapnin rrugë garës për zgjedhjen e një kryetari të ri të PD.