Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi iu ftuar në emisionin “Radar” ka folur rreth problematikave me kandidatët për deputet që janë në listat e partive për zgjedhjet e 25 prillit.
Celibashi i pyetur për rastin e Tom Doshit, për të cilin u kërkua nga Ambasada e SHBA që të mos kandidonte, Celibashi ka thënë se do t’i drejtohet Prokurorisë për të bërë një verifikim më të thellë.
“Përse PSD është e renditur e para ka të bëjë me shortin dhe nuk e di pse mund të komentohet. Duket e çuditshme. Procesi i hedhjes së shortit ishte transparent me përfaqësues të të gjitha partive. Është rastësore. Nuk ka domethënie. Për sa i përket Doshit si kandidat për deputet. E kam thënë se si për këtë dhe për të tjerë nëse do ketë nevojë verifikimi për gjendjen e tyre me ligjin KQZ do ta bëjë këtë gjë dhe do ta bëjë me një shpejtësi të shtuar.KQZ nuk është se po e transferon çështjen, por jemi tek procesi i verifikimit dhe kërkon angazhim të Prokurorisë. KQZ bën administrimin dhe vlerësimin e dokumenteve.”-shprehet ai.
Celibashi ka thënë se përveç Tom Doshit janë rreth 15 kandidatë që do të verifikohen pasi ka indicie se kanë probleme me dekriminalizimin.
“Pardje kemi regjistruar listat. Dhe kemi kandidatë zyrtarisht për deputet. Ne jemi në të drejtën për të filluar proces verifikim. Nuk është vetëm Doshi, deri më tani kemi 10-15 raste por kjo do të vazhdojë. Po verifikohen dokumentacioni. Dhe do ja dërgojmë Prokurorisë.”-shtoi ai.