Zgjedhjet e 25 prillit përveçse mund të sjellin tensione nëse asnjë forcë politike nuk siguron 71 mandate, mund të sjellin dhe një betejë të fortë juridike. Gazeta e tha pak ditë më parë se nëse asnjë forcë nuk siguron 71 mandate, por PS del parti e parë, do e ketë shumë të vështirë që të mandatohet nga presidenti për të krijuar qeverinë. Lidhur me këtë çështje ka folur Kreshnik Spahiu, ish-nënkryetar i KLD dhe ish-kryetar i Aleancës Kuq e Zi. Si jurist në profesion, Spahiu ka analizuar anën ligjore se si duhet të veprojë presidenti dhe ku mund të gabojë ai.
“Rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit pritet të jetë shumë i ngushtë. Pa iu referuar sondazheve pasi mbi to ka shumë skepticizëm, duhet thënë se variantet teorike janë këto: 1- PS parti e parë mbi 50%; 2- PD parti e parë mbi 50%; 3- PS parti e parë nën 50%; 4- PD parti e parë nën 50%; 5- PS – PD+LSI barazim 50%-50%; Të gjitha variantet kanë analiza juridike, por më së shumti debati dhe lufta politike do plasë keq nëse ndodh opsioni 3 dhe 5”, tha ai.
Sipas Spahiut, nëse del PS forcë e parë nën 71 mandate, atëherë me shumë mundësi presidenti nuk do i japë asaj të drejtën të formojë qeverinë. Sipas tij, ai mund të përdorë koalicionin PD-LSI. Por sipas Spahiut ky koalicion nuk është ligjor.
“Presidenti Republikës do hezitojë të emërojë kryeministrin e ri Rama sepse do pretendojë që nuk ka shumicën. Në këto kushte referenca është Kushtetuta, Neni 96/1: “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”. Por a konsiderohet LSI-PD koalicion? Joooo aspak, sepse ato nuk janë regjistruar si koalicion në KQZ. Në këto kushte Presidenti Republikës mund të shpall Lulzim Bashën si kryeministër vetëm nëse PD del forcë e parë politike, përpara PS. Nuk ka rëndësi sa përlind të votave ka mbi apo nën 50%”, shprehet Spahiu.
Spahiu ka bërë një krahasim me Kosovën, ku deklaroi se Albin Kurti një vit më parë u bë kryeministër me 28 për qind të votave. Sipas tij, Presidenti mandaton partinë e dytë vetëm nëse ajo që ka më shumë vota rrëzohet në Parlament.
“Për ata që nuk e kuptojnë po ju referoj Kosovën: Albin Kurti u dekretua kryeministër vetëm me 28% votave në vitin 2020. Nëse kryeministri i partisë parë nuk e krijon dot qeverinë dhe rrëzohet me vota në Parlament, atëherë presidenti Meta i jep te drejtën partisë së dytë për ta propozuar kryeministrin. Kushtetuta e sqaron sërish: Neni 96/2 . Në qoftë se Kryeministri i emëruar nuk miratohet nga Kuvendi, Presidenti emëron një Kryeministër të ri brenda 10 ditëve. Si përfundim, unë parashikoj luftë juridike dhe politike pas 25 Prill”, tha Spahiu.
Ai deklaroi më tej se nëse Rama nuk kalon 71 deputetë, por del parti e parë nën 50%, do ketë 4 muaj negociata për të gjetur vota dhe aleatë nga krahu tjetër. Ish-nënkryetari i KLD ka dhënë dhe alternativa.
“Një opsion janë Patozi, Topalli, Shabani, Murrizi apo Tom Doshi (nëse këta fitojnë mandat). Varianti fundit është të kërkojë siç i quan ai: Tymin e doganave, Qirje Dulen, Gonin e pulave, Dashin e faqores rakisë. Për këto arsye etiketimet elektorale mos i merrni i seriozisht sepse janë më shumë reklama se goditje. Mua s’më duket fare çudi që në prehrin e qeverisë në gushtin e kësaj vere të ulen këta që po shahen sot më shumë. Mos u habisni, që në qeverinë Rama 3, të trokasë fallxhorja dhe t’iu ofrojë socialistëve si këmbim një kafe nga filxhani i saj me bisht. Duroni, se s’keni parë gjë akoma. 26 prill deri në 1 shtator kur duhet të votohet qeveria e re, do kemi disa muaj historikë dhe komikë për Shqipërinë”, tha Kreshnik Spahiu.