Ish-kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu ka komentuar situatën politike në Shqipëri, ndërsa ka shpërthyer në sulme dhe akuza të forta në adresë të klasës politike shqiptare.
Përmes një statusi të mbushur me ironi, zoti Spahiu e ka quajtur politikën shqiptare një telenovelë, me protagonistë 4 figurat kryesore të saj. Sipas tij, presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PD, Lulzim Basha aktrojnë dhe nuk iu interesojnë qytetarët. Madje, me ironi juristi thotë se në film ata vriten, ndërsa në realitet jetojnë të lumtur.
“Bëjnë lojë sikur shkarkuan Metën, por ai ngeli president. Bëjnë lojë sikur përjashtuan Berishën, por ai ngeli deputet. Bëjnë lojë sikur shkarkojnë Bashën, por ai ngelet kryetar. Bëjnë lojë sikur rrëzojnë Ramën, por ai ngelet kryeministër. Telenovelë me 4 aktorë dhe 4 milionë spektatorë, që s’e pranojnë që është film dhe përloten në çdo seri nga aktrimi tyre dhe skenari perfekt për turmat… Në film vriten të 4. Në realitet jetojnë të 4, të lumtur”, – shkruan ai.
Më herët, ish-kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu ka reaguar pas homazheve që kryedemokrati Lulzim Basha bëri në 12 shtator për të përkujtuar 23-vjetorin e vrasjes së demokratit Azem Hajdari. Spahiu shkruan në rrjetet sociale se asnjëri prej të pranishmëve në këto homazhe nuk e ka takuar dhe njohur kurrë Azemin. Jo vetëm kaq, por Spahiu theksoi se shoku i tij i klasës u vra për një parti që u transformua në biznesin e 2 familjeve mafioze.
“Asnjë prej tyre as nuk e ka takuar dhe as nuk e ka njohur në jetë kurrë Azem Hajdarin. Ky koment s’është as cinizëm dhe as ironi, por realitet, në ditën e shokut tim të klasës dhe mikut të idealeve që kurrë nuk i realizuam. U vra i ndjeri për një parti, që u transformua në biznesin e dy familjeve mafioze. U prehtë në paqe, se këta edhe varrin ia keqpërdorin”, – nënvizoi ish-kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu.