Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu ka bërë një deklaratë të fortë, ndërsa theksoi se brenda një jave do të vendoset se në cilin koalicion do të bëjë pjesë kjo parti.
Duke folur për “Vizion Plus”, Spahiu është shprehur se përpara AK-së ndodhen tre alternativa: një aleancë me PS-në, dalja më vete në zgjedhje, apo një aleancë me FRD-në.
Sipas Spahiut, e vetmja gjë që AK e përjashton, është mundësia e një bashkëpunimi para apo pas zgjedhjeve me PD-në e Sali Berishës.
Spahiu ka thënë se vendimi për koalicion do të merret jo vetëm bazuar në sistemin zgjedhor, që e bën pothuajse të detyruar pjesëmarrjen në një koalicion, por edhe në mendimin e mbështetësve të kësaj partie. Ai ka ripërsëritur faktin se AK në fushatën e saj zgjedhore do të përqendrohet tek çështja kombëtare dhe ndryshimi i realitetit politik në vend.