Një zyrtar i presidencës turke tha të dielën se “karikaturat fyese” të pretenduara se paraqesin Profetin Muhamed –ndërkohë që askush veç bashkohësve të ngushtë se njeh portretin e tij – janë duke u përdorur për të frikësuar muslimanët në Evropë me pretekstin e fjalës së lirë, ndërsa tensionet midis Ankarasë dhe Parisit po rriteshin.
Zëdhënësi i presidencës turke Fahrettin Altun akuzoi Evropën për demonizimin e muslimanëve, siç ishte rasti me hebrenjtë në vitet 1920.
“Politika tinëzare e karikaturave fyese, akuzat se muslimanët janë përgjegjës për separatizmin dhe kërkimet në xhami, nuk kanë asnjë lidhje me lirinë e fjalës,” shkroi ai në Tëitter në anglisht.
“Kjo ka të bëjë me frikësimin e muslimanëve dhe kujtimin e asaj që ata janë shumë të mirëpritur kur bëhet fjalë për të kontribuar në ekonominë evropiane, por që në të njëjtën kohë ata kurrë nuk do të bëhen pjesë integrale e saj”, shtoi ai.
Ai tha se një qëndrim i tillë ndaj muslimanëve ishte “shumë i njohur” nga më parë dhe se të kujton “demonizimin e hebrenjve evropianë në vitet 1920”.
Vërejtjet e tij erdhën pasi Franca bëri thirrje për konsultime me ambasadorin e saj në Turqi, pas komenteve shumë të ashpra nga Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan të shtunën kundër homologut Emmanuel Macron, duke e cilësuar kreun e Elisse-së si jo në rregull nga mendja.
Presidenti Erdogan vuri në dyshim “shëndetin mendor” të presidentit francez dhe e këshilloi atë të fillonte trajtimin.
Duke bërë homazhe për mësimdhënësin Samuel Paty, të cilit iu pre koka nga një i ri me origjine çeçene, kjo pasi viktima u tregoi studentëve të tij karikaturat e pretenduara të Muhamedit në një orë të fjalës së lirë, Macron tha se ai nuk kishte ndërmend të “hiqte dorë nga karikaturat”.
“Disa udhëheqës evropianë sot nuk janë vetëm në shënjestër të muslimanëve. Ata po sulmojnë gjithashtu vlerat dhe tekstet tona të shenjta, udhëheqësit tanë politikë, në fakt, mënyrën tonë të jetës,” shtoi Altun.
Ai theksoi se evropianët deri më tani u është dashur të kuptojnë se “muslimanët nuk do të largohen sepse ju nuk na dëshironi. Ne nuk do ta kthejmë faqen tjetër kur të na fyeni, por ne do të mbrojmë veten dhe atë që është e jona me çdo kusht.”
Nga ana tjetër, Sekretari francez i Shtetit për Çështjet Evropiane, Clement Beaune, dënoi “dëshirën e Presidentit turk Rexhep Erdogan për destabilizim” gjatë komenteve në një radio. Ai tha se Erdogan “paraqitet si mbrojtës i myslimanëve në një mënyrë plotësisht të instrumentalizuar”.
Beaune i bëri thirrje publikut të ndalojë së qeni “naiv” kur bëhet fjalë për Turqinë, siç tha ai, mënyra se si “kemi qenë naivë në Evropë për pesëmbëdhjetë vitet e fundit”.
Ai beson se “nuk është rastësi që pas sulmit të ndyrë ndaj një mësuesi në mes të Parisit më 16 tetor, për shkak të shfaqjes së karikaturave, nuk kishte asnjë dënim zyrtar nga ana e Ankarasë”.
Beaune beson se Erdogan dëshiron të “përdorë këtë ngjarje dramatike për të nxjerrë në pah sa vijon: ‘Franca po lufton me muslimanët’, të gjitha për t’i bërë njerëzit të përziejnë Islamin dhe Islamizmin”.